TV LIVE
Nga Rajoni
9 April 2025
Rama zbulon temat e Komunitetit Politik të 16 Majit

Tirana do të bëhet më 16 Maj mikpritësja e takimit të 6-të të Komunitetit Politik Europian. Një format që mori jetë në vjeshtën e 2022-it në Pragë, si një iniciativë e presidentit francez Macron për të ulur bashkë krerët e 44 vendeve të kontinentit europian pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të unionit europian.

Kjo platformë u krijua për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin në të gjithë Europën pikërisht kur siguria e kontinentit ishte e kërcënuar nga konflikti i nisur në atë vit në Ukrainë. Ndërkohë që samiti i 16 Majit që do të mbahen në kryeqytetin shqiptar e gjen sërish Europën të trazuar dhe me shumë sfida në fushën e sigurisë e mbrojtjes. Pikërisht siguria dhe qëndrueshmëria demokratike do të jetë dhe çështja e parë që kryeministri Rama ka zbuluar përmes një postimi në rrjetet e tij sociale që do të diskutohet në takimin e liderëve në Tiranë.

Fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike, migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë si dhe vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re janë të tjera tema që do të shtrohen për diskutim në tryezën e 44 liderëve që do të fillojnë të mbërrijnë në Tiranë pasditen e 15 Majit.

Javën e shkuar qeveria miratoi dhe një shtesë fondesh për organizimin e takimit të Komunitetit Politik Europian. Shtesa prej afro 93 milion lekësh do të shkojë për shpenzimet që do të nevojiten për angazhimin e policies, gardës si dhe drejtorisë së eventeve.

Tv Klan



Të ndryshme
Më shumë