Gjithsej 12 pacientë me djegie nga zjarri në Koçan gjatë natës janë transferuar për trajtim në tri shtete evropiane – Belgjikë, Holandë dhe Greqi, raporton MIA.
Katër prej pacientëve u transferuan për trajtim në Belgjikë, katër në Holandë dhe katër në Greqi.
Sipas informacioneve që ka siguruar korrespondenti i MIA-së nga Brukseli, katër të lënduarit janë transferuar në Belgjikë me aeroplan special të Forcave të Armatosura të Rumanisë, i cili njëkohësisht ka transportuar katër persona të tjerë të lënduar nga zjarri për trajtim në Holandë.
“Katër viktimat do të vendosen në tre spitale të ndryshme në Bruksel, Antwerp dhe Charleroi. Falë qeverisë belge, veçanërisht MPJ-së së tyre, për të gjithë ndihmën e deritanishme, si dhe Rumanisë dhe Bashkimit Evropian, të cilët organizuan fluturimin special nga Shkupi për në Bruksel”, shkruan ambasadori i Maqedonisë në Belgjikë, Metodija Belevski në një postim në rrjetet sociale.
Gjatë natës edhe katër pacientë të tjerë janë transferuar nga aeroporti i Shkupit në Greqi për mjekim me një avion të Forcave Ajrore Greke. Avioni ushtarak grek ka fluturuar nga Athina për në Shkup rreth orës 22:30 dhe transporti ka përfunduar pas orës 2 të mëngjesit. Të plagosurit janë shtruar në dy spitale ushtarake në Athinë.
Si pasojë e tyre, numri i të plagosurve nga zjarri që po trajtohen në Greqi ka shkuar në 12 – pesë prej tyre janë shtruar në spital në Selanik dhe shtatë në Athinë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.