Dënim i rëndë për Paulo Fonseca, pas përplasjes së tij me arbitrin Bastien Millot gjatë ndeshjes Lyon-Brest. Pikërisht në ditën e tij të lindjes, Komisioni Disiplinor i Ligue 1 vendosi ta pezullojë ish-trajnerin e Lille, Shakhtar Donetsk dhe Milanit deri më 30 nëntor 2025. Për 9 muaj, trajneri portugez nuk do të mund të ulet në pankinë, ndërsa deri më 15 shtator, atij do t’i ndalohet edhe hyrja në dhomat e zhveshjes para, gjatë dhe pas çdo ndeshjeje zyrtare.
Një dënim i rëndë, që hyn në fuqi menjëherë. "Kjo sjellje është e papranueshme për një figurë kaq të rëndësishme të Ligue 1, – deklaroi Sébastien Deneux, presidenti i Komisionit Disiplinor. – Zoti Fonseca është trajner i një klubi të madh dhe mbi të gjitha, një edukator. Është e qartë se kjo lloj sjelljeje është krejtësisht e papajtueshme me rolin e tij.
Komisioni ka vlerësuar se ai ka shfaqur një qëndrim intimidues dhe kërcënues ndaj arbitrit, duke u përplasur ballë për ballë dhe bërtitur kundër tij. Për këtë arsye, ai do të jetë i pezulluar deri më 30 nëntor 2025 nga pankina dhe hyrja në dhomat e zhveshjes së arbitrave. Gjithashtu, për shkak të natyrës së rëndë të sjelljes së tij, do t’i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes së ekipit të tij deri më 15 shtator 2025".
Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Fonseca, pasi Lyon mund të vendosë ta zëvendësojë atë pas këtij dënimi të ashpër. Ditët e fundit, trajneri portugez ka dërguar një letër zyrtare me ndjesë për shoqatën e arbitrave francezë dhe për vetë arbitrin e përfshirë në incident.