Pas Milanit, Feyenoordi synon të përsërisë suksesin edhe ndaj Interit. Robin van Persie, trajneri i ekipit holandez, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes, e cila do të zhvillohet të mërkurën prej orës 18:45.
Si i keni përjetuar netët e mëparshme të Champions League me Feyenoordin?
Para televizorit në shtëpi. Kur pamë atë golin në transfertë ndaj Milanit, të gjithë kërcyem nga gëzimi, ishte një moment i mrekullueshëm për Feyenoordin.
Në ‘Eredivisie’ situata është e vështirë, por në Champions League duket si magji. Si e shpjegoni këtë?
Të presësh në shtëpi Bayernin, për shembull, është magji. Kjo është magjia e ‘De Kuip’. Dallimi? Kësaj here do ta përjetoj këtë eksperiencë në stol. Mezi po e pres, do të jetë hera ime e parë në Champions League si trajner. Lojtarët e mi janë në formë të mirë, janë gati.
Sa ndryshon tensioni midis të qenit lojtar dhe trajner?
Është një botë krejtësisht ndryshe. Si lojtar, gjëja më e rëndësishme është të qëndrosh në formë dhe të performosh mirë në fushë. Si trajner, duhet të menaxhosh të gjitha këto procese njëkohësisht dhe të jesh në shumë dimensione brenda të njëjtës ditë.
Ishit në fushë në vitin 2002, kur mundët Interin, duke dhënë edhe një kontribut të rëndësishëm…
Atëherë, fati ishte në anën tonë.
De Vrij do të jetë kundërshtar. Çfarë kujtimesh keni për të si lojtar i ri?
Mbaj mend që kur mbërriti, ishte një djalë shumë i etur për të mësuar. Donte të dinte për ndeshjet që kisha luajtur dhe si i kisha përballuar disa situata të caktuara.
Duke iu rikthyer vitit 2002, ishit i dëmtuar dhe nuk treguat. Si do ta merrnit nëse një lojtar do ta bënte këtë sot?
Nuk do të më pëlqente shumë. Asokohe kisha dhimbje në ijë, por sërish doja të luaja. E pashë nga perspektiva ime, edhe pse për ekipin do të kishte qenë më mirë të mos luaja.
A e kanë ndikuar dëmtimet tërësinë e ekipit?
Nuk flasim për këtë çdo ditë. Ne fokusohemi te lojtarët që kemi në dispozicion dhe ata po japin rezultate të jashtëzakonshme. Mënyra se si stërviten, intensiteti në stërvitje…, djemtë më transmetojnë gëzim. Është e qartë se janë gati për Interin. Dëmtimet nuk do të jenë kurrë një justifikim.
Ndeshja do të luhet gjatë Ramazanit. A do të ndikojë kjo?
Kemi pesë lojtarë që e ndjekin Ramazanin, prandaj duhet ta kemi parasysh këtë. Ata vijnë pak më vonë dhe largohen pak më herët nga stërvitjet.
Çfarë lloj ndeshjeje prisni?
Mendoj se do ta kemi pak më shumë topin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të krijojmë më shumë raste. Kjo është sfida. Gjithashtu, do të jetë e rëndësishme t’iu kushtojmë vëmendje tranzicioneve. Forca e Interit është pikërisht në ato momente.
Si lojtar ishit shumë i përqendruar te detajet. A ishte kjo arsyeja që ju shtyu drejt trajningut?
Si lojtar, e kuptova që nuk isha aq i fortë sa disa nga shokët e mi të skuadrës, kështu që më duhej të mbushja boshllëqet përballë lojtarëve më të mirë. Duke analizuar të mirat dhe të këqijat e mia, kuptova që nuk isha më i shpejti, kështu që duhej të mendoja ndryshe. Kjo më ndihmoi të krijoj një nevojë të vazhdueshme për përmirësim, që mendoj se çdo lojtar dhe trajner duhet ta ketë. Në vitet e fundit, duke iu referuar karrierës sime si trajner, mendoj se jam përmirësuar hap pas hapi, çdo ditë.
Shumë trajnerë europianë thonë se është shumë e vështirë të sfidosh sistemin e Simone Inzaghit…
Ekipet e mëdha sulmojnë dhe mbrojnë në nivel të lartë, edhe Interi e bën këtë. Është shumë e vështirë t’i shënosh Interit dhe, siç e thashë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lëmë hapësira. Zikaltrit duken sikur janë kudo në fushë. Kjo është forca e tyre kryesore, por mund të jetë edhe një dobësi, e cila mund të jetë vendimtare në ndeshje. Të luash kundër më të mirëve, si në aspektin e trajnerëve, ashtu edhe të lojtarëve, është objektivi i të gjithëve. Ditët e fundit kam ndier dëshirën e madhe të të gjithëve për të dhënë maksimumin, jemi të gjithë gati.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.