Gjatë historisë, shoqëria shpesh ka refuzuar mendjet e saj më të mëdha gjatë kohës së tyre të jetës, për t`i pranuar idetë e tyre vetëm dekada apo edhe shekuj më vonë. Ky fenomen nuk është rastësor, por i rrënjosur thellë në natyrën njerëzore dhe strukturat shoqërore. Rezistenca ndaj mendimtarëve radikalë, buron nga fakti se ata sfidojnë sistemet konvencionale morale dhe shqetësojnë status quo-në, duke kërcënuar ata që janë në pushtet. Siç ka treguar historia, elitat kanë frikë të humbin kontrollin, klasa e mesme kapet pas stabilitetit dhe të varfrit, janë shumë të zënë me mbijetesën e tyre për të përkrahur e nxitur një revolucion intelektual. Kjo rezistencë ciklike sociale, siguron që vizionarët e vërtetë, rrallëherë të njihen në kohën e tyre.
Forca themelore që nxit ndryshimet shoqërore, duket se nuk është aq arsyeja, se sa frika. Në kuptimin se “frika”, përcakton veprimet njerëzore më shumë sesa mendimi racional, pasi njerëzit nga natyra janë para së gjithash qenie emocionale. Elitat kanë frikë të humbasin privilegjet e tyre, klasa e mesme ka frikë të rrëshqasë në varfëri, dhe shtresa e varfër, ka frikë për mbijetesën bazë. Kjo frikë, krijon një rezistencë ndaj ideve të reja, duke i bërë mendimtarët radikalë të duken të rrezikshëm, në vend që ata të shihen si vizionarë.
Vetëm kur klasa e mesme shtyhet në limite – e kërcënuar nga kolapsi ekonomik apo paqëndrueshmëria sociale – atëhere shoqëria arrin një pikë kthese. Por edhe në këto momente, nuk janë intelektualët apo filozofët ata që marrin drejtimin; përkundrazi, janë ekstremistët dhe demagogët ata që ngrihen në pushtet, duke thjeshtuar idetë komplekse në retorikë, që u përshtatet frikërave të masave. Shembuj nga historia, siç janë Hitleri që shtrembëroi filozofinë e Nietzsches ose Lenini, që zbatoi teorinë marksiste në një sistem shtypës, tregojnë se ndryshimet e kthesat revolucionare, shpesh bien në duart e atyre që manipulojnë frikën, sesa do të duhej të binin tek ata që promovojnë arsyen e pastër.
Kjo ngre një pyetje të rëndësishme: A është e mundur që shoqëria të drejtohet nga arsyeja në vend të frikës? Nëse natyra njerëzore drejtohet kryesisht nga emocionet, atëherë një shoqëri racionale duket pothuajse utopike. Megjithatë, përparimi i inteligjencës artificiale paraqet një mundësi unike. Ndryshe nga njerëzit, AI nuk ndikohet nga frika, interesat personale ose paragjykimet emocionale. Nëse zbatohet si një forcë vendimmarrëse, AI mund në teori që të qeverisë bazuar në logjikë të pastër dhe stabilitet afatgjatë, në vend që të ndikohet nga frika afatshkurtër, që drejton shoqëritë njerëzore.
Sfida e vërtetë, megjithatë, është nëse njerëzimi do ta pranonte qeverisjen e drejtuar nga AI. Edhe nëse AI mund të eliminojë korrupsionin dhe të përmirësojë vendimmarrjen, njerëzit mund ta refuzojnë atë për shkak të frikës. Ironikisht duke vërtetuar edhe një herë se frika, dhe jo logjika, përcakton sjelljen njerëzore. Ata në pushtet do të kishin frikë të humbnin kontrollin, ndërsa masat do të kishin frikë nga e panjohura, duke preferuar sistemin e papërsosur, por duke u ndjerë më të qetë se e kanë njohur gjithmonë.
Në fund të fundit, historia tregon se mendimtarët radikalë do të jenë gjithmonë përpara kohës së tyre, duke u përballur me refuzimin, derisa rrethanat të detyrojnë idetë e tyre të futen në rrjedhën kryesore. Nëse shoqëria ndonjëherë do të kalojë përtej vendimmarrjes së bazuar në frikë, mund të kërkojë një ndryshim themelor. Dhe pikërisht një ndryshim, që AI mund ta lehtësojë. Megjithatë, nëse njerëzit do të jenë ndonjëherë të gatshëm të dorëzojnë autonominë e tyre të papërsosur për një sistem të qeverisur nga arsyeja e pastër, mbetet një pyetje e hapur. Përgjigja e kësaj dileme, mund të përcaktojë të ardhmen e vet qytetërimit.