Nga “parajsa në ferr”, pa frikë i tillë mund të konsiderohet rrugëtimi i Sergio Conceiçao-s në krye të Milan. E nisi me një Superkupë të çmendur, por magjia e atij suksesi filloi të zbehej pak nga pak. Fillimisht ishte Feyenoord që i nxori nga Champions, ndërsa vijon dhe rënia e lirë në Serie A. Në “Dall’Ara” ekipi i tij pësoi një tjetër humbje të rëndë, një humbje me përmbysje që i largon gjithnjë e më shumë nga objektivi kryesor për të siguruar një vend në Champions League sezonin e ri.
Dy ekipet zbritën shumë të kujdesshme në fushë, prodhuan pak raste për shënim, por në fundin e pjesës së parë, në minutën e 43-të, Rafa Leao me një aksion personal zhbllokoi ndeshjen duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Në mënyrë të papritur, ndeshja mori një tjetër rrjedhë në fraksionin e dytë, me Bologna-n që reagoi fuqishëm, fillimisht barazuan shifrat me Castro-n në minutën e 48-të, një gol që solli pakënaqësi të mëdha pasi Conceiçao dhe e gjithë pjesa tjetër e Milanit protestuan për prekje të topit me dorë në zonë. Bologna nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 82-të Ndoye realizoi edhe golin e dytë duke përmbysur rezultatin, një gol që në fund rezultoi një trepikësh.
Falë këtij suksesi, Bologna parakalon Milan, me 44 pikë pozicionohen në vendin e 6-të, tre pikë më shumë se kuqezinjtë. “Makthi i Milanit, tjetër humbje, kështu largohet një tjetër Champions”, shkruan La Gazzetta dello Sport.
Nuk e priti mirë këtë humbje Conceiçao i cili e nisi konferencën e tij duke bërë moviolë: “Ka një faull të pastër me dorë tek goli i tyre i parë, ndërsa te goli i dytë topi kishte dalë fillimisht jashtë, këtë nuk ma thanë të tjerët, por e pashë vetë. Sigurisht, nuk është vetëm arbitri fajtor në këtë humbje, jam unë i pari, por këto janë gjëra që po ndodhin shpesh. E ardhmja ime? Çdo ditë flitet për situatën time, kjo nuk është e drejtë. Unë jam i qetë pasi situata është e thjeshtë, nëse dikush më thotë që nuk i duhem më, bëj gati valixhet dhe iki, nuk dua asnjë euro më shumë”, u shpreh trajneri i Milan.