“Shtëpia e Futbollit” mirëpriti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës Ukrainase, Andriy Shevchenko. I ftuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, legjenda e futbollit botëror mbërriti rreth orës 11:00 në Tiranë dhe më pas vizitoi ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, dhe Anëtari i KE-së, Envi Hicka, kreu i Federatës Ukrainase pati mundësinë të njihte më nga afër historinë dhe arritjet e futbollit shqiptar ndër vite.
Gjatë vizitës, Andriy Shevchenko inspektoi qendrën stërvitore të ekipit kombëtar, terrenet e “Shtëpisë së Futbollit”, muzeun dhe ambientet e administratës së FSHF-së. Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e mëtejshëm të futbollit, ndanë eksperienca dhe diskutuan për projekte të ndryshme dhe investime infrastrukturore.
Në një prononcim për fshf.org, Andriy Shevchenko shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për ftesën dhe mikpritjen. Ai vlerësoi zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe ndikimin e tij në rritjen e vendit.