TV LIVE
Kuriozitete
22 February 2025
“Krenarbëria: Poezi arbëreshe” për shpëtimin e arbërishtes nga zhdukja

Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët e ka “festuar” në një mënyrë krejt të veçantë, ndryshe prej mesazheve e thirrjeve për mbrojtjen e shqipes. Ka hapur  edicionin e dytë të konkursit “Krenarbëria: Poezi arbëreshe”, i cili ka një qëllim të prerë: Ta shpëtojë arbërishten nga zhdukja.

Konkursi i këtij viti për temë “Pa të kaluarën, s’ka të tashme – Pa arbërishten nuk ka arbëreshë”.

Qëllimi i këtij konkursi, sipas njoftimit është “mbështetja e krijimtarisë artistike të të rinjve arbëreshë në fushën e poezisë me objekt vetë botën arbëreshe, duke nxitur dygjuhësinë si mjet shprehës, por edhe si element frymëzimi për paraqitjen e historisë, jetës dhe të aspekteve të ndryshme të trashëgimisë arbërore”.

Në këtë konkurs mund të marrin pjesë poetë të grupmoshës 18-45 vjeç, me origjinë arbëreshe ose që i përkasin komunitetit arbëresh. QSPA-ja i ka ftuar të dërgojnë krijimet e tyre të gjinisë së poezisë, deri më 21 maj.

“Tema e këtij edicioni vjen si rezultat i rrezikut që i kanoset arbërishtes në ditët e sotme, përballë sfidave të globalizmit, ku gjithnjë e më tepër po bie numri i fëmijëve dhe i të rinjve që e mësojnë dhe trashëgojnë këtë gjuhë”, shkruhet në njoftim.

Përballë kësaj situate, kanë reaguar edhe studiuesit ndërkombëtarë, duke e përfshirë arbërishten në Atlasin e gjuhëve në proces zhdukjeje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO-s dhe duke e përcaktuar atë si “gjuhë përfundimisht në rrezik”.

Me anë të konkursit të sivjetmë, QSPA synon të kthejë vëmendjen e të rinjve arbëreshë në këtë pasuri të çmuar identitare, të trashëguar prej gati 600 vjetësh ndër breza. Shpallja e fituesve do të bëhet më 30 maj, ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit do të mbahet në fillim të muajit qershor.

Ka kohë që alarmohet për rrezikimin e arbërishtes në Kalabri, se ka pak folës të saj prej brezit të ri, e një konkluzion si ky kishte dalë edhe në Kuvendin e Dytë të Studimeve Arbëreshe të mbajtur në Tiranë, në shtatorin e vitit 2023. Të dhënat ishin nxjerrë prej hulumtimit në terren. “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI”, kishte qenë tema e Kuvendit i cili mbahet me qëllim të gjetjes së mënyrave për të ruajtur gjuhën e kulturën arbëreshe. “Gjuha arbëreshe është në kufijtë e mbijetesës në komunitetet e këtyre katundeve arbëreshe në Kalabri, është njëri prej konkluzioneve që është rikonfirmuar edhe në Kuvendin e Dytë të Studimeve Arbëreshe”, kishte raportuar KOHA.

Edmond Cane nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët kishin kumtuar të dhënat në kumtesën me titull “Përcaktimi i niveleve të përdorimit të arbëreshëve, transmetimi i tij midis brezave dhe prioritizimi i faktorëve, si parakusht për zhvillimin e politikave gjuhësore”. Teksa kishte paraqitur të dhënat parësore të marra nga puna në terren e kryer në kuadër të ekspeditës në komunat arbëreshe në qershor 2022, kishte thënë se ato vijnë nga kërkimi sasior me studimin e variablave si numri i komunave, pesha specifike e popullsisë së këtyre komunave, shtrirja gjeografike, si dhe tipologjia e tyre. Të dhënat ishin kombinuar me vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren, çuan në përfundimin se “gjuha arbëreshe është në kufijtë e mbijetesës në komunitetet e këtyre katundeve arbëreshe në Kalabri”.



Të ndryshme
Më shumë