TV LIVE
Sport
20 February 2025
“Haland nuk mund të zbriste as shkallët”, Guardiola: U kualifikua skuadra më e mirë, ky nuk ishte viti ynë

Pep Guardiola pranon supremacinë e Realit të Madridit përballë skuadrës së tij dhe thotë se ata e mundën me meritë Mançester Sitin.

 

“Pasi pësuam gol në aksionin e parë që nuk mbrojtëm mirë, ishte gjithnjë e më e vështirë. Ne duhet ta pranojmë atë, skuadra më e mirë fitoi, kështu që urime për Realin e Madridit. Tani ne përqendrohemi në Premier Ligë”, ishte deklarata e parë e trajnerit katalanas, e cila tingëlloi sikur ishte një rezultat që ai e priste.

“Reali është një ekip fantastik, ata meritojnë të kalojnë më tej. Ne nuk e merituam atë, është viti i parë që nuk kemi bërë një sezon të mirë në Ligën e Kampioneve. Ne duhet ta pranojmë atë dhe të luftojmë për sezonin e ardhshëm për të qenë përsëri këtu. Sigurisht që Reali i Madridit është pretendent për të fituar Ligën e Kampioneve tani, por ka ekipe të tjera të mira përreth”.

“Haland u përpoq të stërvitej, por kishte dhimbje edhe vetëm duke ecur apo zbritur shkallët. Këtë mëngjes ai më tha se nuk ndihej mirë. Por e përsëris, nuk është çështje e Haland, Real Madrid e meritonte të fitonte.”

Por cili ishte shkaku i humbjes së skuadrës së tij?

“Ne nuk e përballuam dot gjendjen fizike dhe ritmin që ata patën. Na duhet ta pranojmë se fitoi skuadra më e mirë. Ata nuk janë vetëm Kilian Mbape. Ata kanë shumë futbollistë të mirë, të cilët mund të bëjnë diferencën. Ne do të luftojmë në këtë kompeticion për të qenë atje vitin e ardhshëm. Ishim me shumë fat që e fituam një herë këtë trofe dhe mbërritëm në një tjetër finale. Nuk jemi në nivelin e duhur për momentin.

Ndryshim cikli? Pak kemi filluar ta bëjmë. Gjërat nuk janë të përjetshme, ka lojtarë që kanë një moshë të caktuar. Në Premier Ligë kemi fituar këto vite, në Champions kemi qenë atje”.

“Bernabeu” i këndoi atij me ironi “Guardiola, qëndro”. Por ai iu përgjigj tifozëve rivalë kështu: “Po, po, po. Po, po. Unë dua të vazhdoj”, deklaroi ai.

PANORAMASPORT.AL



Të ndryshme
Më shumë