Kur na ndajnë edhe 22 ditë nga afati që emigrantët kanë për t’u regjistruar me qëllim që të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një apel, që të regjistrohen sa më parë dhe mos ta lënë për ditët e fundit, pasi edhe sistemi mund të ketë probleme.
Në rubrikën e tij “Sy më Sy”, kreu i qeverisë shqiptare dhe se zgjedhjet e 11 majit do të jenë historike edhe për faktin se për herë të parë voton edhe diaspora. Kryeministri tha se fjala e cdo shqiptari që jeton jashtë vlen, ndaj thekson që mezi pret gjykimin e tyre.
Rama premton se në mandatin e katërt do të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
“22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporës, 11 maji do të jetë një votim historik edhe për faktin se për herë të parë shqiptarët e Evropës dhe botës do të votojnë nga jashtë kufijve nga aty ku janë me postë.
Kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri më 4 mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit me një zarf është kohë e domosdoshme.
Deri tani numri i regjistruesve është premtues, por mund të jetë edhe më shumë. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdo kujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët vlen. Unë mezi pres që të shoh se cili do jetë gjykimi i shqiptarëve të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme për Shqipërinë e respektuar nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE”, tha Rama.