Presidenti ukrainas Zelensky tha në një intervistë për AP se është e pavërtetë ajo që thuhet në SHBA se Ukraina ka marrë 200 miliardë dollarë ndihmë nga Uashingtoni, duke sqaruar se shuma e marrë ka qenë rreth 76 miliardë dollarë.
Presidenti ukrainas shtoi se shuma e marrë është shumë më pak nga sa thuhet ndërsa thekson se nuk e ka idenë se ku kanë shkuar paratë që pretendohet se i janë dhënë Ukrainës.
“Kur dëgjoj – si në të kaluarën ashtu edhe tani – nga SHBA se Amerika i ka dhënë Ukrainës qindra miliarda dollarë, 177 miliardë, për të qenë të saktë, bazuar në atë që miratoi Kongresi, si president i një kombi në luftë, mund t’ju them se ne kemi marrë diçka më shumë se 75 miliardë dollarë. Pra, kur njerëzit flasin për 177 miliardë dollarë ose edhe 200 miliardë dollarë, ne kurrë nuk e kemi marrë atë shumë. Ne po flasim për gjëra të prekshme, sepse kjo ndihmë nuk erdhi si para të dhëna në dorë, por më tepër si armë, shumë që arriti në rreth 70 miliardë dollarë. Ka stërvitje, kosto transporti, nuk janë vetëm lekët për armët, ndihmë humanitare, programe sociale etj. Por kur thuhet se Ukraina mori 200 miliardë dollarë për të mbështetur ushtrinë gjatë luftës, kjo nuk është e vërtetë. Nuk e di ku shkuan gjithë ato para. Ndoshta është e vërtetë kur bëhet fjalë në letër me qindra programe të ndryshme. Nuk do debatoj, dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për gjithçka. Por në të vërtetë ne morëm rreth 76 miliardë dollarë. Është një ndihmë e rëndësishme, por nuk është 200 miliardë dollarë.” – tha Zelensky.