TV LIVE
Sport
25 January 2025
Nuk ka dyshime, merret vendimi për të ardhmen e Mario Mitajt

Mario Mitaj nuk do të duhet të presë deri në fund të sezonit për të mësuar të ardhmen e tij, pasi vendimi për të ardhmen e tij tashmë është marrë. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare pritet të bëhet një lojtar me të drejta i Al Itihad. Vetëm pak muaj në Arabinë Saudite, kanë mjaftuar që Mitaj të bindë drejtuesit dhe “sheikët” e klubit për të investuar më shumë tek ai.

I transferuar gjatë merkatos së verës nga Lokomotiva e Moskës në formë huazimi për shumën prej 3 milionë eurosh, marrëveshja përfshinte gjithashtu një opsion blerjeje përfundimtare prej 5 milionë eurosh. Kjo klauzolë nuk ka mbetur gjatë në pritje, pasi Al Itihad ka vendosur që ta aktivizojë atë që në janar, duke siguruar plotësisht shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Vendimi për të finalizuar blerjen e tij, vjen pas performancave të shkëlqyera që 21-vjeçari ka treguar në fushën e lojës.

Mitaj është kthyer në një titullar të padiskutueshëm, duke u rreshtuar krah emrave të mëdhenj të futbollit botëror, si Benzema Kanté dhe Fabinjo. Në vetëm pak muaj, ai ka treguar aftësi mbresëlënëse, duke shënuar një gol dhe duke asistuar katër herë, një kontribut i rëndësishëm në garën e Al Itihad për titullin kampion në Arabinë Saudite.

Performanca e tij konsistente ka bërë që Mitaj të jetë një nga lojtarët më të vlerësuar në kampionat. Me një notë mesatare prej 7.3 për ndeshje, ai ka fituar simpatinë e të gjithëve. Shpejtësia, aftësia e tij për të lexuar lojën dhe kontributi në fazën ofensive kanë bërë që ai të jetë një element kyç për skuadrën e tij të re.

Vendimi për të blerë përfundimisht kartonin e tij është një shenjë e qartë e besimit që Al Itihad ka tek ai. Në një ligë që po tërheq gjithnjë e më shumë yje të mëdhenj të futbollit botëror, Mitaj ka arritur të dallojë dhe të tregojë vlerat e tij në vetëm pak kohë.

Për Kombëtaren Shqiptare, suksesi i Mario Mitaj në Arabinë Saudite është një lajm i shkëlqyer. Një lojtar që po përmirësohet vazhdimisht dhe që po fiton eksperiencë në një kampionat me një nivel gjithnjë e në rritje, është një pasuri e madhe për ekipin kombëtar.



Të ndryshme
Më shumë