“Nuk jemi për titull”, kështu u shpreh Enco Maresca pak kohë më parë, pasi ekipi i tij po kalonte një moment fantastik, por koha po i jep të drejtë teknikut italian. Vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit ka bërë që atmosfera e krijuar të zbehet disi, mbi të gjitha pas humbjes 2-1 të pësuar brenda në “Stamford Bridge” nga Fulham. Me 35 pikë në 18 javë, Chelsea mbetet në vendin e dytë, por Liverpool është shkëputur me 7 pikë, plus që kanë dhe një ndeshje më shumë në dispozicion.
Cole Palmer krijoi iluzionin se do ta kalonin lehtë këtë takim pasi fantazisti anglez me një goditje të saktë në minutën e 16-të kaloi Chelsea-n në avantazh. Fulham nuk u dorëzua, ndërsa blutë nuk arritën të gjenin golin e dytë për të “vrarë” këtë takim. Në minutën e 82-të, Willson barazoi shifrat në 1-1 duke rihapur takimin. Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 95-të, Rodrigo Muniz befasoi londinezët me një gol në frymën e fundit duke bërë që në stadium të pllakoste heshtja, një gol trepikësh që afron Fulham me “zonën euro”.
Nuk e fshehu zhgënjimin për këtë humbje trajneri Enzo Maresca: “Është mëkat për mënyrën se si e humbëm këtë takim, me një gol në minutën e fundit. Kjo ndodhi tashmë, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të rikuperojmë energjitë. Cilat janë objektivat? E kam thënë edhe më herët, për shumë arsye nuk jemi ende në gjendje për të fituar titullin. Gjëja më e rëndësishme është të shohim ekipin duke u përmirësuar”, u shpreh trajneri i Chelsea-t.
Ndërkohë, vijon sezonin negativ Tottenham. “Gjelat” pësuan një tjetër humbje, këtë herë në transfertë përballë Nottingham. Elanga realizoi golin e vetëm të takimit duke bërë që Nottingham ta shoh vetën përkohësisht në vendin e tretë në Premier League, pa diskutim një nga surprizat e mëdha të këtij sezoni në Angli.