TV LIVE
Nga Rajoni
21 December 2024
Sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu nderohet për kontributin në Bashkëpunimin Rajonal

Universiteti Europian i Tiranës i jep çmimin Majlinda Bregut për kontributin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, u nderua për udhëheqjen e saj frymëzuese, angazhimin e palëkundur dhe kontributin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e rajonit në BE, në një ceremoni që u mbajt dje në Tiranë.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa, i dorëzoi zonjës Bregu një Çertifikatë Mirënjohje, duke e nderuar për përkushtimin e saj të gjatë në avancimin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, promovimin e dialogut, zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe sociale, mbështetjen e barazisë gjinore, fuqizimin e rinisë dhe nxitjen e bashkëpunimit në rajon.

“Pas këtyre gjashtë viteve, mund të them se respekti mbetet gurthemeli i bashkëpunimit rajonal – respekti për mendimet, perspektivat, kufijtë dhe madje historinë e të tjerëve. Gjatë këtyre viteve, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, së bashku me Ballkanin Perëndimor, ka arritur etapa të rëndësishme, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët e tij. Nga heqja e tarifave të roaming-ut për Ballkanin Perëndimor, ulja e tarifave të roaming-ut midis BE-së dhe rajonit, deri tek njohja e ndërsjellë e diplomave dhe kualifikimeve profesionale dhe zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal.

Sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu nderohet për kontributin në

Sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu

Sot, Tregu i Përbashkët Rajonal është një udhërrëfyes rajonal i integruar në planin e BE-së për rajonin. Por, me rreth 30% të rinisë së Ballkanit Perëndimor të papunë dhe 1 në 3 që konsideron të largohet nga vendi i tij, ndodhemi në një moment kritik ku prioritetizimi i politikave të orientuara drejt rinisë nuk është më një mundësi, por një nevojë. Këto politika duhet të hartohen për të ofruar rinisë arsye të forta për të qëndruar, duke krijuar mundësi për rritje, inovacion dhe realizim brenda komunitetit të tyre. Duke adresuar aspiratat dhe shqetësimet e tyre, ne mund të ngadalësojmë jo vetëm ritmin e shpërnguljes së trurit, por edhe të ndërtojmë një të ardhme ku rinia jonë sheh potencialin dhe ambiciet e saj të realizuara këtu, në rajonin tonë.” tha Bregu në fjalimin e saj gjatë marrjes së këtij nderimi.

“Si një figurë e shquar me një perspektivë të freskët përmes roleve të saj gjatë viteve, Majlinda ka lënë një ndikim të qëndrueshëm. Është kënaqësi dhe një burim krenarie që Shqipëria ka dhënë një figurë të rëndësishme për politikën rajonale, por pa dyshim edhe për atë europiane. Shpresojmë që karriera e saj të vazhdojë të rritet në përmasa dhe ndikim në vitet që vijnë”, tha Selami Xhepa, President i UET-së, gjatë ceremonisë.

Majlinda Bregu po afron përfundimin e mandatit të saj si Sekretare e Përgjithshme e RCC-së, duke shënuar fundin e një periudhe të suksesshme dhe produktive prej gjashtë vitesh. Gjatë udhëheqjes së saj, RCC ka arritur etapa të rëndësishme, ka forcuar bashkëpunimin rajonal, ka nxitur iniciativa kyçe dhe ka mbështetur aspiratat e përbashkëta të Ballkanit Perëndimor.



Të ndryshme
Më shumë