TV LIVE
Sport
21 December 2024
Usik dhe Furi, sot në ring për duelin e madh të revanshit

Numërimit mbrapsht tashmë po i vjen fundi, teksa Oleksandër Usik dhe Tajson Furi do të kenë mbrëmjen e sotme duelin e revanshit në Riad të Arabisë Saudite, sfidë që pritet të nisë rreth orës 23:30.

 

Një përballje që ka në lojë titujt e peshave të rënda: WBA, WBO dhe WBC. Këto breza i mban Usik, i cili e mposhti Furin në duelin e 24 majit, ndeshje e zhvilluar gjithashtu në Riad. Shtatë muaj pas sfidës së tyre të parë, ukrainasi dhe britaniku takohen një revanshin.

Furi pësoi humbjen e parë të karrierës së tij, ndërsa Usik arriti të ribashkonte për herë të parë në 25 vitet e fundit katër titujt botërorë të kategorisë më të lartë të boksit. “Të shtunën në mbrëmje do të shkaktoj shumë dhimbje, do të shkatërroj”, tha Furi në konferencën e mbajtur në kryeqytetin saudit. “Këtë herë e kam seriozisht, kemi folur mjaftueshëm”, shtoi britaniku.

Nga ana tjetër, kampioni në fuqi u tregua i rezervuar, duke mos lëshuar deklarata në prag të duelit. Megjithatë për ukrainasin flasin vetë shifrat, me një rekord prej 22 fitoresh, pa pësuar asnjë humbje në karrierë. Nga katër brezat e mbajtur fillimisht nga ukrainasi, vetëm tri do të jenë në dispozicion sot në mbrëmje. Usik, siç dihet hoqi dorë menjëherë nga brezi IBF, i cili tashmë është rikuperuar nga britaniku Daniel Dubois.

Kjo është arsyeja pse “vetëm” titujt e WBA, WBO dhe WBC do të jenë në ring. Ndërkohë, rekordi i Furit është prej 34 fitoresh, një barazim dhe një humbje. Një ndeshje që pritet të shënojë edhe rekorde arkëtimesh. Nëse duelin e parë shuma ishte 150 milionë dollarë, me Furin që mori 70% të kësaj shume edhe pse humbi, këtë herë shifra do të jetë 191 milionë dollarë, ndërsa Usik pritet të ketë më tepër përqindje sesa në sfidën e parë. Për sa u përket basteve, Usik është favorit, teksa fitorja e tij kuotohet me koeficientin 1.85. Për triumfin e Furit koeficienti është 2.35, ndërsa barazimi kuotohet 17.

 



Të ndryshme
Më shumë