TV LIVE
Nga Bota
20 December 2024
SHBA dhe Britania sanksionojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Ministri, si përgjigje ndaj rolit të tyre të dyshuar në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare dhe protestuesve antiqeveritarë.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu sanksione ndaj Mirza Kezevadze, zëvendësshefit të departamentit të forcave speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë më 19 dhjetor.

Departamenti i Thesarit deklaroi se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, e cila më 19 dhjetor vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit tha se arsyet e cituara nga të dyja qeveritë për vendosjen e sanksioneve janë të ngjashme. “Pas zgjedhjeve në Gjeorgji, zyrtarë kyçë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përfshinë në shtypjen e popullit të vet në mënyrë të egër, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve dhe përdorimin e dhunës”, tha Bradley T. Smith, nënsekretari i përkohshëm i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

Çdo aset i zotëruar nga Gomelauri dhe Kezevadze në juridiksionin amerikan është bllokuar, tha Departamenti i Thesarit. Përveç Gomelaurit, Britania vendosi sanksione edhe ndaj zëvendësministrit të Brendshëm Aleksandre Darakhvelidze, Sulkhan Tamazashvili, Zviad Kharazishvili dhe Mileri Lagazauri, sipas një komunikate të Qeverisë britanike.

Mijëra njerëz demonstruan përsëri në Tbilisi në natën e 19 dhjetorit. Kjo ishte dita e 22-të radhazi e protestave kundër vendimit të Qeverisë për t’i ndërprerë praktikisht bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE. Protestuesit e kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së partisë Ëndrra Gjeorgjiane në zgjedhjet që u mbajtën në fund të tetorit.

Protestat u rritën pasi kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, njoftoi se Tbilisi i pezulloi deri në vitin 2028 bisedimet me Brukselin për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka thënë se zgjedhjet e 26 tetorit u manipuluan me ndihmën e Moskës dhe është zotuar se nuk do të largohet nga detyra edhe kur pasardhësi i saj – i përzgjedhur nga ai që protestuesit e quajnë Parlament të paligjshëm – të betohet më 29 dhjetor.

Zurabishvili i ka dënuar “sulmet brutale ndaj popullit dhe mediave gjeorgjiane”, duke e krahasuar shtypjen e tyre nga autoritetet me “represionin në stilin rus”. Protestat janë shpërndarë vazhdimisht në mënyrë të dhunshme, aktivistët janë arrestuar dhe politikanët e opozitës dhe përfaqësuesit e medias janë sulmuar.

Gjeorgjia e mori statusin e vendit kandidatit për BE në dhjetor 2023 dhe, sipas sondazheve, shumica e gjeorgjianëve e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE./Rel/



Të ndryshme
Më shumë