Kryeministri Edi Rama, në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, u shpreh se emigrantët janë mbështetje e rëndësishme financiare për vendin.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro krahasuar një vit më parë.
“Diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme në aspektin financiar për vendin. Këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro krahasuar një vit më parë, janë 100 milionë euro plus. Dërgesat më të mëdha janë nga Italia, SHBA.
Kjo i bashkohet prurjes domethënëse të të ardhurave, të rritjes sonë ekonomike që është rezultat i një sërë reformash të rëndësishme, por besoj se është mbi të gjitha rezultat i pozicionimit të ri politik të Shqipërisë. Jam shumë krenar për faktin që kemi arritur t’u mundësojmë të gjithë shqiptarëve, duke filluar nga ata që jetojnë jashtë vendit, shqiptimin me plot gojën të emrit shqiptar dhe përgjigjen me plot gojën “jam shqiptar” të pyetjes nga je.
Një pyetje që shqiptarët e kanë pasur jo të lehtë ta artikulojnë për shkak të paragjykimeve ndaj tyre, por edhe mungesës së një sfondi të ofruar nga vendi amë që mund t’u jepte atyre sigurinë, qetësinë dhe krenarinë e të thënit jam nga Shqipëria. Është fazë dramatike e tejkaluar. Është dashur kohë, dhe na është dashur ta përjetojmë në një nivel të lartë të marrëdhënieve atë ndjesi të pakëndshme, për ta thënë me fjalë të buta, që për shumë vite u ka shkaktuar shqiptarëve vështrimi me një sy nënvlerësues ku ata janë shfaqur si shqiptarë.
Na ka dhënë mundësinë të ngrihemi në pozicione të paimagjinueshme vite më parë”, tha Rama.