TV LIVE
Nga Rajoni
6 December 2024
Kilaj, Smakaj e Fazliu janë duke u mbajtur ende në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu, të cilët të enjten janë arrestuar në një aksion të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë duke u mbajtur ende në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë. 

Djali i Fadil Fazliut, Fahriu, të premten në një prononcim për media ka thënë se ai ka kërkuar që ta takojë babain e tij po që nuk i është lejuar. 

Ai ka thënë se zyrtarë të EULEX-it nuk i kanë dhënë informata atij e as avokatit të Fazliut, nëse babai i tij do të dërgohet në Hagë. 

ZPS-ja të enjten ka njoftuar se aksioni ka të bëjë me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. 

"Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në njoftimin e Speciales, i lëshuar gjatë ditës së enjte.

Isni Kilaj ka pasur aktakuzë të ngrirë, mirëpo ajo është ndryshuar dhe ai llogaritet si i dyshuar. 

Te shtëpitë e Smakajt dhe Fazliut, ZPS-ja pati kryer bastisje edhe vitin e kaluar. 

E që nga orët e hershme të mëngjesit të së enjtes e deri në mbrëmje, hetuesit e ZPS-së kanë qëndruar edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit në Prishtinë, duke kërkuar prova që mund t’i ndihmojnë në hetimet e tyre lidhur me frikësimin e dëshmitarëve apo shpalosjen e informacioneve të dëshmitarëve të mbrojtur.



Të ndryshme
Më shumë