Nga: Pëllumb Xhufi
Ngjarjet që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, u zhvilluan në kushtet kur në gjirin e shoqërisë shqiptare kishin ndodhur zhvendosje të mëdha dhe kur në vend të parisë së vjetër feudale e turkoshake, të komprometuar rëndë me regjimin osman, një shtresë e re, e përfaqësuar nga intelektualë me ide liberale e socialdemokrate, kishte dalë në skenën e historisë me ambicien për të udhëhequr popullin shqiptar në luftërat për liri e për shtet kombëtar.
Të frymëzuar nga idetë e Iluminizmit francez e të Risorgimentos italiane, ideologë e veprimtarë të lëvizjes kombëtare shqiptare e shihnin ndarjen nga “regjimi i vjetër” si një domosdoshmëri historike, që nëpërmjet një revolucioni nacional e social, bashkë me sundimin osman, do të flakte tej edhe gjithë pushtetin e “oxhaqeve” shqiptare, klasat e vjetra të bejlerëve, pashallarëve, krerëve fisnorë e klerikëve të lartë, bashkëpunëtorë dhe bashkësundues të sunduesit të huaj.
Një analizë të grupeve shoqërore dhe të sjelljes së tyre kundrejt çështjes kombëtare në Shqipërinë e prag-pavarësisë, e bën në mënyrë mjeshtërore në raportin e tij të 5 shkurtit 1912, konsulli Austro-Hungarez në Janinë, Belinski.
Në njërën anë, Belinski rreshton përfaqësuesit e aristokracisë së bejlerëve, të pashallarëve dhe të bajraktarëve, të cilët sipas tij ishin njësuar me klasën sunduese osmane. Këtu Bilinski përfshin personazhe si Ferid Pashë Vlorën, Myfid Bej Libohovën, Esad Pashë Toptanin e të tjerë. Në krahun tjetër, sipas tij, qëndronin patriotët e vërtetë shqiptarë, të cilët, sipas Bilinskit, i përkisnin shtresës së mesme të mësuesve të shkollave shqipe, botuesve të gazetave, sekretarëve të klubeve, nëpunësve dhe oficerëve shqiptarë.
Ishin këta që kishin bërë Rilindjen Kombëtare, që kishin përhapur arsimin në gjuhën shqipe, që kishin forcuar ndërgjegjen kombëtare, që kishin ndërgjegjësuar qarqet evropiane për ekzistencën e kombit e të çështjes kombëtare shqiptare dhe që kishin përgatitur e drejtuar betejat e armatosura për liri e pavarësi të çetave të armatosura patriotike. Në analizën e tij të shoqërisë shqiptare në prag të Pavarësisë, Belinski nuk harron të dallojë edhe një grupim të parisë feudale, që e parandjeu se me rënien e Perandorisë do humbte pushtetin, prestigjin dhe privilegjet e vjetra, ndaj dhe iu bashkua, në çastin e fundit, lëvizjes kombëtare.
Këta nuk shihnin mundësi tjetër, veç asaj të përfshirjes në lëvizjen për pavarësi, për të mundur të luanin edhe më tej një rol udhëheqës në jetën politike të vendit. “Megjithatë”, e mbyll analizën e tij konsulli Bilinski, “lëvizja e çetave toske vitin e kaluar u organizua krejtësisht prej shtresës së mesme të intelektualëve patriotë. Bejlerët nuk morën pjesë fare në këtë aksion … Ndonjë prej këtyre bejlerëve, si Mehmet Ali Pasha i Delvinës, deputeti Myfid Bej Libohova e ndonjë tjetër, u detyruan në ndonjë rast t’u jepnin çetave ndihma në të holla, por këtë e bënë nën presionin e elementëve radikalë të lëvizjes së armatosur, të cilët kërcënonin se do ndërmerrnin akte terroriste kundër tyre në rast se nuk bashkëpunonin”. Siç treguan faktet, në përgjithësi, shtresa e vjetër e bejlerëve, pashallarëve, krerëve e bajraktarëve, i qëndroi deri në fund besnike Perandorisë Osmane, dhe akoma më keq, filloi të flirtojë me monarkitë fqinje, pikërisht me ato që rrezikonin më së shumti integritetin territorial të Shqipërisë.
Aubrey Herbert, anëtar i Parlamentit britanik e mik i madh i shqiptarëve, rrëfen se Mehmet Konica dhe Filip Noga i kishin thënë në 1913 në Londër, se në Shqipëri, “populli nuk mund t’i durojë më bejlerët dhe pashallarët dhe se një lëvizje e madhe demokratike pritej të shpërthente aty”. I bindur për rolin antikombëtar të bejlerëve turkoshakë shqiptarë ishte, si shumë aktivistë të tjerë të lëvizjes kombëtare, edhe Dervish Hima. Në 12 shtator 1901, nga faqet e gazetës “Albania”, i akuzonte ata se kishin tradhtuar çështjen shqiptare “për medaljet prej teneqeje qe ua var ne gjoks Sulltani”. Dhe, u kujtonte kërcënueshëm, se “në Evropë mbretërit, princërit e fisnikët kishin kaluar në shpatën e drejtësisë së popullit”, dhe se “ata që ju keni keqtrajtuar e poshtëruar, nesër do nderohen”.
Figura më emblematike e parisë së vjetër shqiptare në periudhën e kapërcimit nga shthurja e Perandorisë në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, është padyshim Esad Pashë Toptani. Të shumta janë vlerësimet që i janë bërë atij nga njerëz që e kanë njohur, por që të gjitha janë ekstremisht negative: Esadi ishte njeriu “që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, por që ua dinte vlerën të gjitha monedhave të Evropës”, shkruan historiania Margaret McMillan. Ishte njeriu i cili “ishte gati të shiste të gjithë vendin, që të mund të sundonte qoftë edhe në një katund të vetëm të tij”, deklaronte Obrei (Aubrey Herbert). U kthye me turp nga fronti i mbrojtjes së Shkodrës, dhe ndonëse u ftua të bënte pjesë në kabinetin e Ismail Qemalit, bëri gjithçka për të sabotuar bashkimin e të gjitha trevave shqiptare përreth qeverisë kombëtare të Vlorës. Dhe, tentoi të krijojë shtetin e tij në Shqipërinë e Mesme, herën e parë, më 1913, me mbështetjen e feudalëve turkoshakë e të Francës; dhe herën e dytë, më 1915, me ndihmën e Serbisë. Marrëveshjet e tij të fshehta me E. Venizellosin e Greqisë, me “kryeministrin” e qeverisë së “Epirit autonom” Zografos dhe me N. Pashiçin e Serbinë, në gusht-shtator 1914, e bënë atë prototipin e politikanit shqiptar, që për të ruajtur pushtetin, nuk heziton të nxjerrë në ankand interesat dhe territoret e atdheut të tij.
Në krahun tjetër, përfaqësuesi më i lartë i grupimit të veprimtarëve patriotë ishte Ismail Qemali. Një personalitet që përmblidhte në shkallën sipërore të gjitha tiparet e një lideri të urtë e vizionar. U nda shpejt nga klasa e tij e bejlerëve. Në vitin 1900, konsulli Austro-Hungarez, Petroviq, e përshkruante Ismail Qemalin si një person të ditur e inteligjent, por pa pasuri. Ashtu si vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Said Toptani, Fehmi Zavalani e Shahin Kolonja, ai jetoi me forcën e mendjes, dhe jo me rentë feudale, si pinjollët e tjerë të familjes Vlora. Ndryshe edhe nga Faiku, asnjëherë nuk nënshkruante si “Bej”, edhe pse të tjerët i drejtoheshin me këtë titull për respekt. Iu kushtua edukimit e nëpunësisë. Ishte formuar në frymën e “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” të shpallur nga Revolucioni francez, prandaj edhe nuk ngurroi të denonconte pikërisht Francën, vendin e lirive, e cila shtypte egërsisht lirinë dhe popullsitë e kolonive të e veta. Si intelektual me ide liberale, u përfshi në procesin reformues të Perandorisë Osmane, i bindur se kështu, në atë Komonuelth popujsh, shqiptarët do të gjenin hapësirën për të afirmuar kombësinë e tyre të mohuar. Kur e pa se pushteti despotik i sulltanëve nuk u la asnjë shans reformave decentralizuese, preu çdo marrëdhënie me Portën e Lartë, u arratis dhe vendosi t’i përkushtohej kryekëput çështjes shqiptare.
Në thirrjen që Ismail Qemali u drejtoi shqiptarëve, më 15 tetor 1900, thoshte: “Kuptova se nuk ishte punë të vazhdoja të përpiqesha të shpëtoja Perandorinë Turke … E ndjeva se në rokullimën e përgjithshëm që do përfshinte Perandorinë, Shqipëria do të copëtohej e para”. Ndërkohë, i kishte përjetuar të gjitha emocionet kulturore të Rilindjes Kombëtare: ishte përfshirë në debatet për Alfabetin e Stambollit dhe kishte mbrojtur me ngulm germat latine; kishte ndërhyrë fort për të mundësuar botimin e fjalorit të Kristoforidhit; kishte tentuar të shpjegonte me gjuhën shqipe mbishkrimet e zbuluara në Kretë nga arkeologu Artur Evans dhe kishte zbuluar ai vetë orakullin e Dodonës, tempullin e pellazgëve, të cilët ai si shumë rilindës të tjerë i konsideronte paraardhësit e shqiptarëve. I bindur për kolapsin e shpejtë të Perandorisë dhe për rrezikun eminent të pansllavizmit, Qemali punoi për të ndërtuar aleanca parimore me vendet fqinje.
Në këtë vështrim u mundua të ndërtojë një aleancë të qëndrueshme me grekët, popull po aq i vjetër e me interesa të ngjashme me shqiptarët. Në këtë kuadër, si qytetar i thjeshtë, pa ofiqe e pa kompetenca, takoi kryeministrin helen Theotokis më 1907. Pas vdekjes së tij, propaganda greke, e mbështetur edhe nga zëra nga brenda Shqipërisë, pretendoi se në atë takim me Theotokin, Ismail Qemali nënshkroi një deklaratë në të cilën pranonte që Shqipëria e Jugut t’i jepej Greqisë. Këtë deklaratë të pretenduar, përfaqësuesit grekë e kanë cituar në Konferencat e Paqes, Venizellosi në Versajë në 1919 e Caldaris në Paris në 1946, për të mbështetur pretendimet territoriale të Greqisë. Por, një deklaratë e tillë thjesht nuk ekziston. Asnjë organ shtypi, asnjë libër historik nuk boton një deklaratë të tillë, as edhe libri i fundit i Vasil Kondisit mbi “Vorio-Epirin”, i shoqëruar me plot katër vëllime me dokumente. Përkundrazi, qëndrimin e vet mbi kufijtë greko-shqiptarë, të cilat me siguri ia ka parashtruar edhe Theotokit, Qemali i parashtroi në protokollin që nënshkroi po ato ditë të qëndrimit të tij në Athinë me kryetarin e shoqërisë “Helenizmos”, Neokles Kazazi. Neni 2 i këtij protokolli thotë se “dy popujt, grek e shqiptar, do i përmblidhnin ambiciet territoriale brenda kufijve të tyre historikë e gjeografikë, duke marrë për bazën gjuhën që flet shumica e banorëve të zonave të kontestuara”.
Jemi në vitin 1907, kur edhe në administratën e shtetit grek jo vetëm Çamëria, por i gjithë Epiri quhej “Shqipëri e Poshtme” (Kato Allvania). Pavarësisht dëshirës për të lidhur një aleancë me Greqinë për kundër otomanizmit e pansllavizmit, I. Qemali nuk bëri asnjë kompromis në kurriz të interesit kombëtar. Më 1911 refuzoi kërkesën e Athinës për të hequr dorë nga organizimi i lëvizjeve kryengritëse në Shqipërinë e Jugut. Kur në vitin 1912 Greqia i shpalosi hapur pretendimet mbi territoret shqiptare, duke invaduar, djegur e përzhitur Jugun e Shqipërisë, ai iu vu punës për ndërtimin e një aleance me Turqinë, dhe pas shpërthimit të Luftës së Dytë Ballkanike, edhe me Bullgarinë, dy vende këto, që me mprehtësinë e një politikani të regjur, Ismail Qemali i vlerësoi si aleatë të natyrshëm të shqiptarëve, nga momenti që për interesat e veta ata i kthyen armët kundër grekëve.
Plaku i Vlorës dhe patriotët e tjerë rreth tij, nuk i besonin “oxhaqeve” të mëdha shqiptare, të cilët i qëndruan besnikë Perandorisë osmane deri në ditët e fundit të saj. Bejlerët nuk iu përgjigjën thirrjes së tij për t’u përfshirë në kryengritjen e vitit 1911. Nuk iu përgjigjën as kur më 10 shkurt 1913 I. Qemali i bëri thirrje “parisë” së jugut të mobilizonte njerëz për t’i shkuar në ndihmë Janinës së rrethuar nga ushtritë greke. Edhe kësaj radhe pashallarët dhe bejlerët e Jugut u kujdesën për ruajtjen e pronave e të privilegjeve të tyre, qoftë edhe duke rënë në ujdi pikërisht me qarqet greke. Kishte shpresuar që në atë moment dramatik, kur qeveria e tij ishte pa mjete, pa ushtri e me një atdhe të copëtuar nga të katër anët, bejlerët e pashallarët do vinin në shërbim të atdheut taboret e tyre të armatosura, që deri atëherë i kishin vënë në dispozicion të Padishahut. Për këtë qëllim, në kabinetin e tij të përbërë nga intelektualë të shquar, përfshiu edhe Myfid Bej Libohovën, si ministër të Brendshëm, dhe Mehmet Pashë Dërrallën si ministër të Mbrojtjes. Por, këta nuk i justifikuan shpresat e tij. I pari u mundua të minojë nga brenda qeverinë, duke bërë zëdhënësin e informatorin e përfaqësuesve italianë e francezë në Komisionin Ndërkombëtar, i dyti nuk la ndonjë shenjë në organizimin e mbrojtjes së trojeve të kafshuara nga ushtritë greke e serbe. Në atë situatë, që është pak ta quash kaotike, I. Qemali e quajti me rëndësi jetike bashkimin e Shkodrës me qeverinë kombëtare, dhe për këtë qëllim e ftoi disa herë parinë e atij qyteti, e madje dërgoi Luigj Gurakuqin për ta bindur atë, të kryente këtë gjest kombëtar. Por, paria e Shkodrës u përgjigj se ndjehej mirë nën qeverisjen e Komisionit Ndërkombëtar. Edhe në Vlorë Ismail Qemali ishte i rrethuar nga kundërshtarë, intrigantë e skeptikë, që pavarësisë dhe shtetin shqiptar mund ta konceptonin vetëm si një krijesë të ujdive të paskrupullta me të huajt.
Të tillë ishin njerëzit e tij të afërt, Ferit Pasha, Syrja Beu dhe djali i tij Eqerem Bej Vlora. Këta ishin të parët që e denoncuan si “bukëshkalë” e “tradhtar”, kur Ismail Qemali u arratis nga Bejruti duke deklaruar se tani e tutje do t’i kushtohej me mish e me shpirt çështjes shqiptare. Kur në 16 prill 1911 Ismail Qemali deklaroi se populli i Vlorës ishte gati të rrokte armët e t’u bashkohej kryengritësve të Veriut, Syrja Bej Vlora, Xhemil Bej Vlora, myftiu dhe përfaqësues të tjerë të parisë së qytetit, nxituan ta qetësonin e ta siguronin Portën se në Vlorë e në gjithë Jugun e Shqipërisë “mbretëronte paqja e qetësia”, e në fakt punuan për të sabotuar lëvizjet popullore aty. Ishin kushërinjtë, që e kallëzuan I. Qemalin tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për kinse implikimin e tij në “çështjen Beqir Gebreneja”, që solli edhe rrëzimin e qeverisë kombëtare të Vlorës.
Pavarësisht këtyre goditjeve prapa krahëve, pavarësisht zhgënjimeve që i dhuruan deri edhe bashkëpunëtorë e miq të tij, të cilët me të dëgjuar për ardhjen e afërt të Princit Wiedit e braktisën qeverinë e tij kombëtare dhe vrapuan drejt Durrësit për të marrë ndonjë post në qeverinë feudale të Princit gjerman, Qemali nuk e humbi shpresën dhe besimin e tij në të ardhmen e atdheut. “Lipset të fitojmë me ça do mënyre Kosovën, Manastirin, Janinën e gjithë Çamërinë”, shkruante ai nga emigracioni i detyruar, “por, për këtë unë shpresën nuk e kam te bejlerët dhe arkondët që vështrojnë të fitojnë tituj e të bëhen princër … Shpresa ime është te pronarët e vegjël e opingarët që janë zotët e vërtetë të Shqipërisë”.
Mbi Ismail Qemalin ka ekzistuar perceptimi i një “plaku të urtë”, “mjeshtri të lojërave politike e diplomatike” apo i një “negociatori sallonesh”. Sigurisht, Ismail Qemali ishte edhe i tillë. Por, ishte po aq edhe organizator i kryengritjeve antiosmane në periudhën e viteve 1900-1912, siç e përshkruajnë edhe konsujt e huaj apo funksionarët e agjentët xhonturq. Kur e takoi për herë të parë në Itali, më 1903, Dervish Hima u befasua teksa zbuloi tek Ismail Qemali një ithtar të “revolucionit”. “Ismail Qemali”, shkruante ai, “mendon se revolucioni është një lloj vorbulle gjithëpërfshirëse, që do të mundësonte kapjen e kohës së humbur. Në kushtet e prapambetjes së thellë, populli shqiptar duhej futur në udhë me forcë”. Nga një funksionar i regjur i Perandorisë osmane nuk do të ishte pritur një koncept kaq “revolucionar” lidhur me përshpejtimin e proceseve historike nëpërmjet gjithëpërfshirjes. Në funksion të kryengritjeve të armatosura, Qemali mori përsipër detyrën e vështirë të furnizimit të tyre me armë. Më 5 maj 1909, valiu i Janinës raportoi se I. Qemali ndodhej në Korfuz, nga ku po mundohej të fusë në Shqipëri 50 mijë pushkë. Gjatë kryengritjes së vitit 1911, shkoi vetë në Malësinë e Mbishkodrës, ku përpunoi edhe të quajturin Memorandum i Greçës, që duhej të siguronte autonominë e Shqipërisë.
Periudha e viteve 1911-1914 është ndër momentet më dramatikë, kur si asnjëherë faktorët e huaj u përzien në çështjen shqiptare. Kundrejt tyre, Ismail Qemali i mbrojti interesat kombëtare me dinjitet të rrallë e nga pozita sovrane. Nuk e njohu servilizmin dhe kompleksin e inferioritetit, që vijon të jetë edhe sot vesi endemik i klasës politike shqiptare. E çmonte rolin e pazëvendësueshëm që Austro-Hungaria luante në avancimin e interesave kombëtare shqiptare. Por, iu kundërvu politikës së saj të status-quosë. Nuk ia fali Austro-Hungarisë ndërhyrjen e saj për ta shuar kryengritjen e Mbishkodrës, duke përdorur për këtë qëllim edhe klerin katolik. Në prononcimin e tij të hidhur në gazetën vjeneze “Die Zeit”, të datës 31 korrik 1911, Ismail Qemali shprehej: “Gabimet politike janë të pafalshme, por një qëndrim politik që kushton jetën e një populli të tërë është në kundërshtim me çdo moral politik”.
Me një intuitë e largpamësi të pashembullt, I. Qemali e kundërshtoi projektin austro-hungarez të hekurudhës së Sanxhakut, që Vjena vendosi ta ndërtojë pas aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës më 1908, e cila hekurudhë do zgjatej deri në Mitrovicë të Kosovës e prej andej në Durrës. Sipas konsullit Kraus, që e takoi dhe bisedoi me I. Qemalin për këtë çështje, udhëheqësi shqiptar e kundërshtonte realizimin e këtij projekti, pasi, sipas tij, kjo hekurudhë në të ardhmen do mund të bëhej bartëse e ekspansionit sllav në trevat shqiptare. Jo më kot, Ismail Qemali e quante atë hekurudhë “hekurudhë sllave”. Njeriu, i cili e kishte parashikuar me kohë kolapsin e Perandorisë Osmane, e dinte mirë se një ditë do të shpërbëhej edhe Perandoria Austro-Hungareze. Si për të vërtetuar dyshimet e tij, gjashtë vjet më vonë, në 14 shtator 1914, përfaqësuesit e qeverisë serbe nënshkruan në Nish një marrëveshje me një Pasha shqiptar, pika 11 e së cilës parashikonte ndërtimin e “Hekurudhës Adriatike”, e cila do të dilte në Durrës. Në fund të vitit 1915 e njëjta marrëveshje u ripërtëri, duke sanksionuar, veç ndërtimit të hekurudhës edhe një bashkim të vërtetë mes Serbisë e Shqipërisë, me unifikimin e ushtrisë, doganave, diplomacisë, financave e tregtisë. Nga pala shqiptare, nënshkruesi i dy marrëveshjeve ishte i njëjti person: Esad Pashë Toptani.
Në janar 1914, në bazë të një denoncimi tinëzar të figurave të diskredituara, Myfit bej Libohova e Syrja bej Vlora, denoncim i ujdisur në bashkëpunim me anëtarët rusë e francezë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, kryetari i Qeverisë së Përkohshme u detyrua të japë dorëheqjen e të lërë vendin. Me gjithë tradhtitë e kundërshtarëve politikë, me gjithë zhgënjimet që kishte pësuar edhe nga ndonjë bashkëpunëtor i afërt i tij, Ismail Qemalin nuk e la nervi prej shtetari patriot. Vetëm ndonjë muaj më vonë, në gusht 1914, ai u njoftua se forcat kryengritëse të Haxhi Qamilit kishin mbërritur në hyrje të Vlorës. Prej aty, rebelët i kishin dërguar një listë me kërkesa ultimative bashkisë: të dorëzonte qytetin, të shpërndante administratën e xhandarmërinë, të lejonte vendosjen në qytet të një mijë trupave rebele dhe, mbi të gjitha, të ulte flamurin kombëtar e të ngrinte në vend të tij flamurin osman. Kërkesës së bashkatdhetarëve e bashkëpatriotëve të tij, se ç’përgjigje këshillonte ai t’u jepej rebelëve haxhiqamilistë, Ismail Qemali iu përgjigj me qetësinë e vendosmërinë që e karakterizonte. Në kushtet ekstreme në të cilat ndodhej vendi dhe posaçërisht Vlora, nuk kishte rrugë tjetër veç të bisedohej me rebelët për të gjitha kërkesat e tyre, me përjashtim të njërës: kërkesës për heqjen e flamurit shqiptar. “Ne”, i shkruante ai bashkëqytetarëve të tij, “duhet ta mbajmë me çdo kusht flamurin me ngjyrat kombëtare, pa të cilin vendi do të humbte simbolin e vetëm të pavarësisë së vet dhe do të shndërrohej ipso facto në një prè të fqinjëve”.
Një përgjigje e denjë për burrin, i cili sot e gjithë ditën identifikohet me atë flamur. /Gazeta “Dita”/