TV LIVE
Nga Vendi
5 December 2024
Ligji për Gjuhët, Kadriu: Nëse pranohen të gjitha kontestimet, ekzistenca e ligjit vihet në pikëpyetje si tërësi

Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, në intervistën për Alsat deklaroi se nuk është e vërtetë që para Gjykatës Kushtetuese kontestohen vetëm 2-3 nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por 18 nene të cilat janë parashtruar nëpërmjet 13 iniciativave nga 46 subjekte, përfshirë akademikë, profesorë e parti politike. Siç thotë Kadriu, një prej kontesteve të papërmendura deri më sot në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve është edhe ajo e zhdukjes së termit të shkruar në kllapa (gjuha shqipe), ndërkaq nëse pranohen të gjitha kontestimet, vetë ekzistenca e ligjit vihet në pikëpyetje si tërësi.

“Në opinion deri tash është folur se kinse kontestohen 2-3 dispozita. Jo! Kontestohen 18 dispozita. A të kontestohen 18 dispozita të Ligjit për Gjuhët, do të thotë të kontestohet gjysma e ligjit. Në qoftë se të gjitha ato që kontestohen 18, dhe në qoftë se gjykata me shumicë votash e pranon kontestin e tyre edhe bën abrogimin e tyre, ne atëherë nuk kemi ligj. Do të thotë nëse pranohen këto… Atëherë nuk kemi ligj. Bile-bile, për informimin tuaj, një prej kontesteve është edhe kontesti i përdorimit të termit gjuha shqipe, në dy dispozita përdoret”, deklaroi Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

Sipas gjykatësit Kadriu, nëse kontestimi i këtyre neneve miratohet, atëherë edhe pjesa tjetër e ligjit vetvetiu do të abrogohet pasi nuk do të mund të zbatohen.

Kadriu, tha se bashkë me kolegun e tij shqiptar, Naser Ajdari vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në seancën e 11 dhjetorit kur pritet të vendoset për hapjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Arsyeja, është mbivotimi.

“Tash për tash përcaktimi është që ne të mos marrim pjesë. Arsyet janë domethënë shumë të arsyeshme dhe të qëndrueshme se pse ne nuk marrim pjesë. Cilat janë ato? Një prej atyre fondamentale, në rend dite është çështja e Ligjit për Gjuhët, a kjo çështje dhe Ligji për Gjuhët, rregullon çështjet e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel të shtetit dhe në qoftë se mendohet siç ka vepruar deri tani gjykata, me shumicë edhe me mbivotim të vendosë për këto çështje të karakterit nacional, sidomos të karakterit nacional shqiptar, atëherë ne nuk e shohim të arsyeshme që të miratohet vendim me mbivotim – a, vendoset për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”, tha Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

Kadriu insiston se megjithatë, përdorimin zyrtar të shqipes nuk e garanton ligji, por Kushtetuta. Këtë të drejtë duhet ta rregullojë Parlamenti, përfshi edhe 20%-in. Në lidhje me akuzat e koalicionit VLEN, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese është e votuar nga përbërja e kaluar kuvendore, Kadriu thotë se kjo nuk është e kontestueshme.

“Të mos ishte, grupi parlamentar i BDI-së, në krye me Ali Ahmetin, Osman Kadriu nuk do të zgjidhej gjykatës kushtetues. Pra vet e pranoni se jeni zgjedhur nga Kuvendi i përbërjes së kaluar. Po ajo nuk është kontestuese. Po kush është dashur të na zgjedhë neve, kush është dashur? Parlamenti. Parlamenti në atë kohë ka pasur atë përbërje, atë shumicë parlamentare, Ciao!”, u shpreh Osman Kadriu, gjykatës kushtetues. /Alsat.mk



Të ndryshme
Më shumë