Barcelona u rikthye te fitorja kundër Mallorca-s (5-1), në javën e 16-të të La Liga-s, pas tri rezultateve zhgënjyese radhazi në kampionat, dhe trajneri Hansi Flick u kujdes të theksonte fundin e kësaj serie negative të katalanasve.
"Kam thënë se isha i lumtur që mbaroi ky nëntor i m... dhe që po fillonte dhjetori," tha trajneri, i gëzuar për efikasitetin e ekipit në shënimin e golave.
"Shënimi i golave është shumë i rëndësishëm për ne. Më parë krijonim shumë raste, por i shpërdoronim, dhe kësaj here jam i lumtur që shënuam pesë gola," shtoi ai.
Trajneri i Barcelonës foli gjithashtu për mungesën e Lewandowskit, i cili nuk u aktivizua as nga stoli:
"Nuk ishte e planifikuar, por fola me ndihmësit dhe vendosëm kështu. Menduam të njëjtën gjë për Raphinhën, por në këtë rast ai luajti."