TV LIVE
Nga Bota
27 November 2024
Në Rumani shpërthejnë protestat kundër kandidatit prorus që doli i pari në zgjedhje

Fitorja e kandidatit të pavarur për president, Calin Georgescu, në Rumani në rundin e parë ka shkaktuar protesta të mëdha në disa qytete rumune. Kjo për shkak se Georgescu akuzohet për pikëpamje anti-evropiane dhe të lidhura me idetë ekstremiste.

Protesta u organizuan në Timisoara, Iasi, Sibiu, si dhe në qytete të tjera, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe antifashiste, pro-evropiane dhe antiekstremiste, transmeton “Agerpres”.

Në Timisoara, të rinjtë u mblodhën në sheshin kryesor, duke kërkuar që Rumania të qëndrojë në “rrugën e duhur, pro-evropiane”, me slogane të tilla si “Zgjohu, Rumani, tani ose kurrë!” dhe “Ne duam lirinë, jo fashizmin!”.

Shumë prej tyre u kanë bërë thirrje të rinjve që të dielën e 1 dhjetorit të dalin në zgjedhjet parlamentare dhe më pas të votojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen më 8 dhjetor.

Protestat vazhduan në Iasi, ku të rinjtë bënë thirrje për “alarm antifashist”, dhe studentët protestuan në Sibiu, duke vënë në dukje rrezikun e një kthese politike në lindje dhe duke shprehur mbështetjen për vlerat evropiane.

Protesta u mbajtën edhe në Brasov dhe Constanta.

Calin Georgescu dhe udhëheqësja e opozitës Elena Lasconi kaluan në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, sipas rezultateve të rundit të parë të mbajtur të dielën, bazuar në 99.9 për qind të votave të numëruara.

Georgescu, që ishte krejtësisht befasi, fitoi 22.95 për qind të votave ndërsa Lasconi 19.2 për qind.



Të ndryshme
Më shumë