Me rastin e 28 nëntorit, përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ambasada e Shqipërisë në Shkup organizoi pritje në të cilën ishin të pranishëm elita politike, përfaqësues të korrit diplomatik, shoqërisë civile, medias, biznesit dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori Denion Meidani theksoi se Shqipëria si një vend, i cili ka njohur Maqedoninë qysh në ditët e para, do të vazhdoj të mbështet atë si në aspekt të integrimeve evropiane, poashtu edhe në aspekt të bashkjëpunimit rajonal.
Më tej, ambasadori Meidani në pritjen e organizuar tha se festimet e këtij viti janë edhe më të rëndësishme për shkak se tashmë vendi ka nisur edhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndryshe, më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.
Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tё cilit sivjet i kremtohet jubileu i 550-vjetorit tё vdekjes, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.
Ndërkaq, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.