TV LIVE
Kuriozitete
26 November 2024
Biblioteka Kombëtare feston 80-vjetorin si pjesë identitare e kulturës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës si institucion është vlerësuar testament i qëndrueshmërisë së intelektit e shpirtit të popullit të Kosovës. Ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në dokumentimin e historisë së Kosovës e në zhvillimin e brezave. Qe në një vijë me zhvillimet sociale, politike e kulturore. Vazhdon edhe sot të jetë. Ajo pos funksionit të saj, shërben edhe si nikoqire e shumë ngjarjeve kulturore. Ashtu edhe në kremten e 80-vjetorit të saj, qe nikoqire e ekspozitave që shpalosin rrugëtimin e institucionit si dhe e një koncerti solemn.

Tetë dekada më parë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të themelohej në Prizren. Por do të kalonte në disa faza zhvillimi e ndryshim do të pësonte edhe emri i institucionit. Do të bartej në Prishtinë. Përfundimisht do të kishte shtëpinë e përhershme prej vitit 1982 kur u inaugurua objekti ikonik brutalist në zemër të kryeqytetit. Të hënën është kremtuar 80-vjetori i institucionit më të lartë bibliotekar në vend. Është konsideruar si shtëpi e dijes, ndërsa për të disatën herë është paralajmëruar rinovimi i tërësishëm i ndërtesës. Në ngjarje ka marrë pjesë edhe projektuesi i ndërtesës së Bibliotekës, akademiku kroat, Andrija Mutnjakoviq. 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës si institucion është vlerësuar testament i qëndrueshmërisë së intelektit e shpirtit të popullit të Kosovës. Ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në dokumentimin e historisë së Kosovës e në zhvillimin e brezave. Qe në një vijë me zhvillimet sociale, politike e kulturore. Vazhdon edhe sot të jetë. Ajo pos funksionit të saj, shërben edhe si nikoqire e shumë ngjarjeve kulturore. Ashtu edhe në kremten e 80-vjetorit të saj, qe nikoqire e ekspozitave që shpalosin rrugëtimin e institucionit si dhe e një koncerti solemn. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ngjarja me të cilën festohen plot tetë dekada të Bibliotekës nuk është vetëm përvjetor, por edhe histori e pasur arritjesh dhe përkushtimi. 

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një monument aktiv i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të përkushtohemi që të vazhdojmë ta forcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore dhe bukurisë artistike si dhe një dritë udhëheqëse për të ardhmen”, ka thënë Kurti. 

Ka bërë të ditur se shumë shpejt institucioni do të futet në renovim të rëndësishëm. Ka thënë se vetë projektuesi i ndërtesës është sërish pjesë e projektit për renovimin e saj. 

“Për herë të parë në historinë e saj 80-vjeçare, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare do të futet së shpejti në renovim të tërësishëm. Hartimi i projektit arkitektonik është shumë afër përfundimit dhe marrjes së pëlqimeve nga institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe vetë akademiku Mutnjakoviq me të cilin janë konsultuar edhe intervenimet e nevojshme në këtë ndërtesë e për këtë ndërtesë. I falënderohemi kontributit të tij dhe jemi shumë mirënjohës për praninë në Kosovë gjatë këtyre ditëve”, ka thënë Kurti. 

Akademiku e arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, ka thënë se edhe 40 vjet pas prej ndërtimit, ndërtesa është në gjendjen e njëjtë siç ishte kur qe inauguruar. I është ndarë mirënjohje nga BKK-ja. 

“Jam shumë falënderues që njerëzit kanë pasur besim në punën time dhe që kurrë nuk kanë dhënë as shenjën më të vogël negative. Janë tre njerëz: Bashkim Fehmiu, Ismail Spahiu dhe Bedri Hysa. Ju falënderoj të gjithë juve që edhe pas 40 vjetësh, kjo Bibliotekë është ende e njëjta siç ishte projektuar, jam falënderues ndaj gjithë juve që jeni kujdesur të jetë në këtë gjendje të mirë”, ka thënë ai. 

Drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se shprehja autentike arkitekurore e ndërtesës përkthehet në identitetin e kulturës kosovare. 

“Për 80 vjet, Biblioteka Kombëtare ka qenë një nga institucionet më të rëndësishme në ruajtjen e urtësisë kolektive dhe kjo e bën veçanërisht jetik rolin e Bibliotekës në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe intelektuale të Kosovës. Përtej kësaj, ky vend është i shenjtë për studiuesit, strehë për lexuesit dhe një gur themeli për komunitetin tonë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ngërthen në mënyrë të përsosur të tashmen dhe të kaluar, duke reflektuar në godinën monumentale – trashëgiminë dhe frymën kulturore të rajonit”, ka thënë ajo. 

Ka thënë se në këtë përvjetor duhet të kujtohen vizionarët që hodhën themelet e institucionit. 

“Ndërsa kremtojmë këtë përvjetor, njohim vizionarët që hodhën themelet e këtij institucioni, përkushtimi i të cilëve na ka dhënë një thesar njohurish që vazhdon të na pasurojë jetën. U jemi borxhlinj të gjithë atyre që kontribuuan dhe siguruan që Biblioteka të mbetet mikpritëse për të gjithë. Ajo përtej të qenit qendër e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe intelektuale, ruan edhe vlerat e tjera të mbivendosura. Vendndodhja në zemër të kampusit universitar dhe të Prishtinës, i kanë dhënë vlera të larta shoqërore si një vend bashkimi për studentët dhe komunitetin”, ka thënë drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha. 

Kryetari i Këshillit drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se Biblioteka është shumë më shumë sesa vlerë simbolike e si objekt. 

“Shpesh flasim për trashëgiminë dhe  e shohim si të mirëqenë. Kur flasim për trashëgiminë në përgjithësi mund ta shohim Bibliotekën thjesht si një objekt, si një vend të zakonshëm, ose t’i japim vlerën imagjinare të një tempulli e kështu me radhë. Është shumë më shumë se kaq, sikurse edhe libri, është përmbajtje. Është arkivi i dijes, është vendi në të cilin ne arkivojmë njohuritë tona njerëzore dhe kjo e bën që të jetë e vlefshme dhe e rëndësishme”, ka thënë ai. 

Në këtë ngjarje, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka interpretuar vepra nga shqiptare e të huaja nën dirigjimin e Hajrullah Sylës

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës mori emrin në vitin 1970, duke shënuar një periudhë të rëndësishme për institucionin, gjatë viteve u zgjeruan pozicionet si bibliotekë kombëtare, shumëgjuhëshe dhe universitare. Gjatë kësaj periudhe, u bë e nevojshme ndërtimi i një ndërtese të re për të përmbushur kërkesat e zgjeruara të shërbimeve të bibliotekës. Në vitin 1974, Kuvendi i atëhershëm i Krahinës Socialiste të Kosovës miratoi ligjin për ndërtimin e saj dhe puna filloi po atë vit, duke përfunduar dhe hapur në 1982. 

Gjatë viteve 1982 deri më 1990 Biblioteka Kombëtare e Kosovës pati zhvillim të madh përmes rritjes së librave, studentëve dhe lexuesve, aktiviteteve të ndryshme. Gjatë viteve 1990–1999 shqipfolësve iu ndalua hyrja në objekt, kjo shkaktoi që biblioteka të quhet Biblioteka Qendrore e Kosovës dhe Metohisë, gjë që humbi rëndësinë dhe shumë lexues. Në fund të viteve ‘90, u përdor si bazë ushtarake një pjesë e objektit. Në kohën e sotme biblioteka quhet Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e cila është biblioteka më e madhe e Kosovës dhe një qendër shumë e rëndësishme kulturore. 

Digjitalizimi i materialeve është një aspekt i nevojshëm dhe i rëndësishëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Të hënën është bërë e ditur se rreth 900 mijë njësi janë digjitalizuar deri më tash. Është lansuar platforma digjitale e Bibliotekës e portali i BKK-së. 

Në ambientet e Bibliotekës janë hapur dy ekspozita që lidhen me veprimtarinë e institucionit dhe pasurisë së saj. “80 vjet të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës: Antologji e koleksioneve”, e kuruar nga Hana Halilaj. Ka shpalosur për të parën herë dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së, skicat e objektit të bibliotekës, materiale audiovizuale, si dhe libra, gazeta, revista, harta e fotografi, që u takojnë zhvillimeve dhe periudhave të ndryshme kulturore e historike të Kosovës. Botimet e BKK-së janë në ekspozitën tjetër “Botimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”. 

Në këtë ngjarje, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka interpretuar vepra nga shqiptare e të huaja nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Nga korridori i sipërm ka nisur interpretimin e veprës “Music in the circle” të Mendi Mengjiqit e më pas duke zbritur për t’u paraqitur përballë publikut ka interpretuar “Nji lule” të Rexho Mulliqit me soliste sopranon Kaltrina Miftari. 

Sopranot Selvije Marteti, Ilvije Dragusha e Shkurtë Hykaj si dhe altot Diellza Sylejmani, Dea Hamdiu dhe Albana Piperku kanë interpretuar “Kuulin aanen” të Laura Jekabsone që ka ngjarë në një lloj ninulle tradicionale. Sylejmani ka luajtur me daulle. 

Vepra atraktive “In A” e Rafet Rudit e ka bërë të veçantë këtë koncert. Nën përcjelljen e Korit kanë interpretuar sopranot Shkurtë Hykaj e Kaltrina Miftari, Patris Berisha e Aurorë Salihu me perkusione si dhe Lekë Salihu në piano. Këngën labe “Janinës ç’i panë sytë’ e kanë interpretuar tenorët Sokol Latifi dhe Luan Durmishi.



Të ndryshme
Më shumë