TV LIVE
Nga Vendi
23 November 2024
Afaristët e rinj në RMV nuk kanë mbështetje të mjaftueshme

Mbështetja e pamjaftueshme nga shteti është arsyeja kryesore pse të rinjtë në Maqedoninë e Veriut e kanë të vështirë të vendosin për të filluar biznesin e tyre, edhe përkundër shembujve të suksesshëm.

Kurse ata që ka vendosur të ndërmarrin hap të këtillë, thonë se përballen me numër të madh të pengesave në rrugën drejt suksesit.

“Ka vështirësi dhe ka pengesa sepse nuk di ku të drejtohesh, kur nuk di se cila është rruga që duhet të bësh për të arritur diku, ku dhe si të regjistrohesh. Do të thosha që shteti ka interesa të tjera për momentin që janë më të rëndësishme. Nuk mund të them se nuk ka ndihmë dhe mbështetje, por është e paktë për ne. Mungon zgjidhja sistematike dhe rrethana lehtësuese”, tha Marta Pejoska- pronare e një galerie me bizhuteri dhe filigran.

“Duhet më shumë mbështetje. Ka programe në Agjencinë e punësimit, në Fondin e inovacionit dhe zhvillimit, ku mund të aplikoni për grante, por mund të bëhet edhe më tepër. Sikur të kishte kredi që do të ishin shumë të volitshme për sipërmarrësit e rinj, më shumë grante, më shumë ndihmë, do të ishte mirë”, u shpreh Tome Ukoski – pronar i një kompanie të marketingut digjital.

Procedurat e gjata dhe komplekse administrative janë problem serioz.

“Gjëja më e panjohur për ta janë çështjet burokratike, si hapet një kompani, ku duhet të paraqiten. Ka shembuj që ngecin jo me muaj, por më shumë se një vit, besoj se këmbëngulja e të gjithëve nuk është në atë nivel, për të thënë se ia vlen të shtyhet procesi dy-tre vjet, për të arritur fazën fillestare dhe më pas të nisin biznes. Dhe kjo është sfidë shumë e madhe për ta”, theksoi Jovan Cvetkoski – kryetar i qendrës rinore, Ohër.

Ata mendojnë se është e nevojshme të rishikohen të gjitha normat që paguajnë bizneset e vogla dhe ato start-ap në baza mujore, por edhe të marrin subvencione të caktuara.

Si shembull pozitiv e tregojnë Estoninë, ku nga një vend me shpërnguljen më të madhe, tani është një vend ku, për shkak të masave të caktuara dhe rrethanave lehtësuese, të rinjtë kthehen dhe hapin bizneset e tyre.

Në Ohër u prezantuan rrëfime të suksesshme të biznesit, me qëllim që të frymëzohen të rinjtë që të fillojnë biznesin e tyre. /Alsat/



Të ndryshme
Më shumë