Ish-deputetët e LVV-së mendojnë se Albin Kurti ka evoluar politikisht. Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani i pavarur, Haki Abazi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga përpjekjet për bashkim kombëtar, një kauzë e cilësuar prej tij si jetike në të kaluarën.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Abazi tha se Albin Kurti nuk përfaqëson më idenë e bashkimit kombëtar dhe se kjo është shndërruar në hipokrizi politike.
“Sot nuk mund të shohësh Albin Kurtin në dritën e bashkimit kombëtar. Ai nuk ekziston më në këtë hapësirë diskutimi,” tha Abazi, duke shtuar se Kurti ka ndërtuar kauza si opozitar, por ato janë zhdukur që nga marrja e pushtetit.
Abazi akuzoi Kurtin për përdorimin e çështjeve kombëtare vetëm kur i shërbejnë interesave të tij politike.
“Kauzat kombëtare i shfrytëzon vetëm për përfitime politike personale, jo për të mbështetur një vullnet të sinqertë qytetar,” tha ai.
Ish-deputeti gjithashtu kritikoi qasjen e Kurtit ndaj bashkimit kombëtar, duke e cilësuar si një retorikë populiste, madje edhe kur bëhet fjalë për çështje si sporti.
Fatmir Humolli: Kurti ka evoluar politikisht
Derisa ish-deputeti tjetër i LVV-së Fatmir Humolli, theksoi se çdo figurë politike evoluon me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe Albin Kurtin.
Humolli e përshkroi Kurtin si një politikan që ka ndryshuar qëndrimin e tij mbi bashkimin kombëtar, veçanërisht pas marrjes së detyrës së kryeministrit.
“Kur ka dalë nga burgu, Kurti nuk besonte te bashkimi kombëtar. Por kur e themeloi Vetëvendosjen, ai nisi ta promovojë këtë ide. Tani që është kryeministër, e ka parë Kushtetutën dhe nuk e ka parë të mundshme bashkimin”, tha Humolli.
Sipas Humollit, Kurti ka ndjekur një politikë që ka penguar bashkimin e potencialit politik dhe ekonomik të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.
“Ai ka zhvilluar një politikë përçarëse brenda Kosovës dhe poashtu ka zhvilluar politikë përçarëse me Republikën e Shqipërisë,” shtoi ai.