Liberalizmi, laicizmi, nacionalizmi, radikalizmi, socializmi, feminizmi:të gjitha rrjedhin nga Revolucioni Francez. Po kështu edhe socialdemokracia, komunizmi dhe fashizmi. Ja cilat janë 10 gjërat, për të cilat i detyrohemi këtij revolucioni
Revolucioni Francez i vitit 1789, kishte një ndikim më të madh politik, intelektual dhe kulturor, në krahasim me çdo revolucion tjetër në histori. Ai shënoi një ndryshim global nga monarkitë absolutiste që e kishin qeverisur shumicën e njerëzimit për gati të gjithë historinë e regjistruar, tek demokracitë, republikat dhe shtetet moderne. Liberalizmi, laicizmi, nacionalizmi, radikalizmi, socializmi, feminizmi:të gjitha rrjedhin nga Revolucioni Francez. Po kështu edhe socialdemokracia, komunizmi dhe fashizmi. Ja cilat janë 10 gjërat, për të cilat i detyrohemi këtij revolucioni:
Fundi i feudalizmit, dhe i të drejtës hyjnore të mbretërve. Një nga hapat e parë të Revolucionit Francez, ishte të shfuqizonte monarkinë absolutiste, dhe ta zëvendësonte atë me një kushtetutë, që i përgjigjej nevojave të gjithë kombit. Të gjitha privilegjet aristokratike u hoqën. Po kështu u veprua gradualisht, edhe në pjesën tjetër të Evropës.
Përhapja e të drejtave të njeriut. Në gushtin e vitit 1789, Asambleja Kombëtare Kushtetuese e Francës, miratoi Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit.
Dokumenti, i përbërë nga 17 nene që përfshinin parimet e Iluminizmit, të cilat frymëzuan Revolucionin Francez, ishte një statut i rëndësishëm i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ai mishëronte konceptin, se individi duhet të ruhet nga veprimi arbitrar i shtetit, dhe do të shërbejë si preambulë e Kushtetutës franceze të vitit 1791, dhe e kushtetutave të mëvonshme. Deklarata, revolucionarizoi marrëdhënien midis qytetarit dhe shtetit – ose të paktën të kuptuarit se çfarë duhet të jetë kjo marrëdhënie.
Nacionalizmin modern. Farat e nacionalizmit francez, u mbollën që në Luftën Njëqindvjeçare, kur territori i asaj që do të bëhej Franca, ishte rrënuar nga pushtuesit anglezë. Por vetëm gjatë rrjedhës së Revolucionit Francez, do të lindte nacionalizmi siç kuptohet zakonisht në epokën moderne. Marrëdhënia e re e qytetarit me kombin, u mishërua në një këngë të re revolucionare, Marsejeza, që do të bëhej himni kombëtar i Francës. Kënga nuk lartësonte një monark apo komandant ushtarak, por ishte një thirrje patriotike për të mobilizuar të gjithë qytetarët për të luftuar për kombin, dhe për të penguar depërtimin e pushtuesve të huaj.
Terrori revolucionar. Për të ruajtur revolucionin e tyre nga lëvizjet kundërrevolucionare, krerët jakobinë, zbatuan atë që hyri në histori si “Mbretërimi i Terrorit”. Nga vera e vitit 1793, dhe deri në verën e vitit 1794, u ekzekutuan mijëra njerëz, përfshirë vetë udhëheqësit revolucionarë. Ato muaj krijuan një shembull të keq, që u ndoq më vonë nga shumë udhëheqës tiranikë.
Rënia e Kishës dhe ngritja e laicizmit. Pas shekujsh korrupsioni, abuzimi dhe privilegjesh të pamerituara, Kisha Katolike e humbi pozitën e saj kur shpërtheu revolucioni në vitin 1789. Një nga hapat e para të Asamblesë, ishte ta privonte Kishën nga autoriteti i saj, për të mbledhur taksën e një të dhjetës. Në vitin 1801, Napoleoni arriti një marrëveshje (Konkordat) me Kishën, që normalizoi dhe rregulloi marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe Francës. Konkordati mbeti në fuqi deri në vitin 1905, kur Franca përfundimisht vendosi një ndarje të plotë midis Kishës dhe shtetit.
Thjeshtëzimi i modës së të veshurit. Gjatë shekullit XVIII, teksa oborri mbretëror dhe qeveria franceze u bënë gjithnjë e më shumë të korruptuar, moda e lidhur me regjimin nisi të shihej si një nga simbolet që duheshin rrëzuar. Kur u përmbys regjimi i vjetër, rrobat e mbi ngarkuara u zëvendësuan nga një lloj anti-mode, që e vuri theksin tek thjeshtësia dhe modestia për burrat dhe gratë. Kështu nuk u hoq dorë nga përdorimi i parukeve nga burrat dhe i kapeleve shumëngjyrëshe. Ato u zëvendësuan nga veshje e thjeshta, dhe pantallonat e ngushta
Sistemi metrik. Para Revolucionit Francez, njësitë e peshës dhe matjeve të tjera ndryshonin jo vetëm midis vendeve, por edhe midis rajoneve të ndryshme, madje edhe midis qyteteve. Nevoja për një sistem uniform ishte mëse e qartë për njerëzit e arsimuar, shkencëtarët dhe tregtarët në të gjithë Evropën. Sistemi i një metrike të përbashkët u propozua për herë të parë në Asamblenë Kombëtare në vitin 1791. Një metër u përcaktua si një dhjetë milionta e distancës midis Polit të Veriut dhe
Ekuatorit. Një litër, ishte vëllimi i një decimetri kub. Një kilogram, ishte pesha e një litri uji të pastër e kështu me radhë.
Kodi i Napoleonit. Kodin Civil Francez i miratuar më 1804, u bë i njohur si Kodi i Napoleonit. Roli i Kishës u zbeh ndjeshëm, krahinat u transformuan në nënndarje të një shteti të ri kombëtar. Kodi iu nënshtrua rishikimeve të ndryshme në shekuj që nga miratimi i saj, por mbetet në Francë edhe sot e kësaj dite. Sot, shumica e njerëzimit – me përjashtimin e dukshëm të vendeve anglosaksone, jetojnë nën Kodin Napoleonik ose derivatet e tij.
Përhapja e republikave. Sovraniteti popullor, qeveria përfaqësuese dhe sundimi i ligjit, ishin idealet e shprehura të qeverisë revolucionare franceze. Përhapja e këtyre parimeve republikane në të gjithë Europën, u pa si një fund i dëshirueshëm në vetvete, dhe gjithashtu si një mjet parandalues për të mbrojtur Revolucionin Francez në shtëpi. Prandaj, dhjetra “republika motra”, të madhësive të ndryshme, u krijuan në vitet 1790 dhe përfundimisht u konsoliduan në disa republika të mëdha rreth kufijve të Francës.
“Liri, barazi, vëllazëri”, dhe shtrirja e idealizmit shekullar. “Liberte, Egalite, Fraternite”, ishte një moto e hershme e Revolucionit Francez që shprehte idealet dhe aspiratat e tij. Ky term, hyri shpesh në leksikun revolucionar popullor. Në praktikë, Revolucionarët u rrëzuan pa arritur të vënë tërësisht në zbatim moton e tyre. Sidoqoftë, Liria, Barazia, Vëllazëria, ashtu si idealet e Revolucionit Amerikan, ishin dhe mbetën aspiratat e përhershme tërheqëse për idealistët.