TV LIVE
Nga Rajoni
18 November 2024
Haziri për Kurtin: Me propagandë erdhe në pushtet, prej propagandës do të shkosh

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me propagandë dhe se do të largohet prej propagandës.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku ka përmendur doracakun mbi edukimin seksual për të cilin ditëve të fundit pati shumë reagime, Haziri ka thënë se Kurti tenton ta keqinterpretojë realitetin duke u viktimizuar.

“Edhe mbrëmë, për kushedi të satën herë, Kurti tentoi ta keqinterpretojë realitetin, duke u viktimizuar se janë bërë cak i fushatës propagandistike, por në fakt edukimi seksual është pjesë e ideologjisë së tij dhe ky doracak skandaloz është bërë me qëllim. Por, e mira është që nuk ka asgjë më fantastike se realiteti. Me propagandë ke ardh dhe prej propagandës do të shkosh”, ka shkruar Haziri.

Lidhur me doracakun mbi edukimin seksual, Kurti ka thënë të dielën se është shtuar lufta hibride ndaj Qeverisë dhe se për këtë çështje pati fushatë të egër propaganduese e përmbajtje manipuluese, duke thënë se sulmet ndaj Qeverisë u paraqitën si kinse gardianë të familjes.

“Këto ditë të fundit kemi qenë cak të një fushate të egër propaganduese, diskutime e komente të shumta me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena. Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës”, ka thënë Kurti.



Të ndryshme
Më shumë