Tensionet në prag të meçit mes Mike Tysonit dhe Jake Paulit janë rritur në maksimum.
Gjatë matjes zyrtare, në mbrëmjen mes të enjtes e të premtes sipas kohës në Kosovë, Tysoni ka goditur me shuplakë në fytyrë yllin e YouTube.
Ish-kampioni i botës në boksin profesionist, Tyson 58-vjeçar, dhe Paul janë afruar fytyrë më fytyrë gjatë matjes zyrtare, para se Tyson të godiste me shuplakë 27-vjeçarin. Tyson ka thënë se Jake Paul i hyri në hapësirën personale dhe e shkeli në këmbë.
Menjëherë ka ndërhyrë sigurimi, ndërsa Paul ka thënë se “Tyson duhet të vdes”.
“Tani kjo është personale”, ka bërtitur Paul derisa Mike Tysonin e kanë larguar nga skena, shkruan ESPN.
Meçi mes Tysonit dhe Jake Paulit zhvillohet në mëngjesin e së shtunës, sipas kohës në Kosovë.
Tysoni është prej legjendave të boksit. Ai është kampioni më i ri botëror në histori, në kategorinë e rëndë. Nuk është paraqitur në meç profesional që nga viti 2005.