TV LIVE
Nga Vendi
12 November 2024
KOMITETI PËR LIRINË E SHQIPËRISË VEPRIMTARIA DHE RËNDËSIA HISTORIKE

Lëvizja kombëtare në fillet e shekullit XX morri përmasa të reja, e ndikuar prej Fuqive të Mëdha të cilat kërkonin ruajten e status-quo së, që nënkuptohet se nuk ishin për formimin e një organizimi territorial e shtetërorë shqiptarë, njëkohësisht P. Osmane cila shekuj me rradhë shtypte lëvizjet politike e kulturore, dhe katër vilajetet shqiptare mbajtur në prapambeturi të gjithanshme, ku si rrjedhojë vazhdonin kryengritjet shqiptare, spontanisht të pa koordinuara nga një qendër me perfundime, gjithnjë masakra, shpërngulje dhe vazhdimsi të mos njohjes së qenjes shqiptare. Historiografia shqiptare vë në dukje një brez të tërë intelektualesh, botues të shtypit, nënpunës të aparatit shtetërorë, të cilët morrën përsipër kësaj rradhe drejtimin e lëvizjes kombëtare, dhe çlirimin e Shqipërisë. Sipas shembullit të popujve të Evropës, u shtrua nevojë formimi i një organizate politike, të fshehtë qëndrore, dhe të përgjithshme, që do të bashkerendiste veprimet e të gjitha shoqërive, dhe të atedhetarëve sipas një programi të njejtë. Si rrjedhojë u vendos që të krijohet i pari komitet kombëtar siç e quan M. Grameno. Themelimi i Komiteit "për lirinë e Shipërisë" u bë në qytetin e Manastirit, kryeqendër banuar me popullsi dërrmuese shqiptare, në nëntor të vitit 1905 me drejtues Bajo Topulli-Hoxha nëndrejtor i gjimnazit në Manastir, bashkthemelues të Komitetit janë: Fehim Zavalani, Gjergj Qiriazi, Jashar Bitincka, Halit Bërzheshta, Nuqi Naqi, Riza Veliçishti, Grigor Cilka, Qani Ypi, Sejfi Vllamasi. Qëllimi, veprimi e pritshmëritë e Komitetit, vërehen në "Kanonizmën"- statutin, botuar në Sofje, i përbër nga 10 pika "nyje" siç shënohet në to: "Qëllimi i këtij komiteti që është themeluar ndë Shqipëri prej njerzve të shquar edhe memedhetarë të vërtetë është: të ngjallurit e Shqipërisë dyke mbjellë vllazërinë dashurinë bashkimnë, dyke përhapur udhën e qytetrimit me anën të libravet që do të shtypnë, dyke dërguarë njerës nëpër gjithë anët të Shqipërisë të mbjellen këta mendime, dyke përmbajtur njerës malevet të ndihnin me çdo mënyrë për qëllimin të Komitetit, edhe dyke përdorur çdo vegël për mbrothsinë të kombit, edhe të shpëtuarit nga zgjedha dhe erresira ndë të cilën gjendet sot.... Qëllimi i Komitetit është të punonë kundër rrezikut që e ka rredhuar Shqipërinë prandaj çdo shok e ka per detyrë sipas besës që ka dhënë të mbaronjë çdo vendim që dot i viret përsipërë pas udhërit të Kryekomitetit".

Duke mbledhur atdhetarë të kulluar me formën e njohur "pesçe", Komiteti "për lirinë e Shqipërisë" u shtri në gjitha hapsirat e vilajeteve te atehershme te Shqipërisë; Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë,Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër, Shkup, Pejë, Gjakovë, Prishtinë e në vende tjera, Komiteti vendosi lidhje me dhjetra atdhetarë shqiptarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë myslimanë e të krishterë përkrahën programin e tij kombëtar. Kryengritjet popullore me karakter lokal vazhduan edhe gjatë viteve 1906-1908, ndonse synimi themelor vërehet edhe nga shtypi i kohës njëkohësisht edhe nga Komiteti "për lirinë e Shqipërisë", i cili krijoi çetat e armatosuara të cilat bënin përhapjen e ideve të çlirimit kombëtar dhe përgaditjen e popullit për kryengritjen e përgjithshme, veçohet artikulli i udhëheqsit te çetave Çerçiz Topulli "Letër nga malet e Shqipërisë", botuar në Raguzë, në gazetën "Shpresa e Shqipërisë", në vitin 1907, "Duke iu sjellur vëllezërve shqiptar u thomi se ska gjë më e ëmbël në jetë se sa përpjekja dhe lufta per liri të Mëmëdheut, dhe vetëm liria është sharti dhe ilaçi për tu ringjallë Shqipërija. Duke shpresuar me ndihmën e Perëndisë dhe te Besës shqiptare të lidhur në mes te parisë atdhetare e te djelmërisë shqiptare, luftare do të çlirojmë Mëmëdheun nga robërija e Turqisë, neve i apelohena të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut, si asajë të Veriut që të lidhen me neve me Besa Besen për çlieimin e Shqipërisë. Gjithashtu jemi duke i grishur të gjithë shqiptart shkrimtar, vjershëtor e sidomos gazetart patriot që gjenden përjashta që të lajmerojnë Botën e lirë, e t'ë gjytetruar se Shqipërija u lekundë, dhe u zgjue nga gjumi i rëndë i robëris së gjatë. Dhe duke dhënë besen se do të qindrojmë burrërisht deri që të ia arritim qëllimit që është shpëtimi Shqipërisë nga robërija terrija dhe mbrapësija e përgjithshme dhe për ta ndritur Dielli i Lirisë. Komiteti "Për lirinëe Shqipërisë" me anë të çetave të armatosuara ndëshkoi mitropolitin grek të Korçës, Fotin në vitin 1906, hakmrraje ndaj andarteve grek që masakruan Papa Kristo Negovanin në shkurt të vitit 1905, pasi prifti predikonte në gjuhën shqipe shërbesat fetare dhe njëkohësisht ishte ithtar i idesë së bashkimit të forcave patriotike kundër shteteve shoviniste fqinje, gjithashtu Komiteti organizoi ekzekutimin e "Bimbashit"-komandantit të xhandarmerisë në Gjirokastër në 9 mars 1908, Protagonisti i ngjarjeve Mihal Grameno në veprën "Kryengritja Shqiptare" botuar në vitin 1925, duke shënuar mbi këto ngjarje të lavdishme të popullit tonë veç tjerash shkruan; "Bimbashi i Gjinokastrës kishte vënë një shtrëngim të math dyke shtënë tmerë të math popullit sa që pandeheshin me ndjenja kombëtare ... ishte e hënë 25 shkurt 1908( sipas kalendarit te vjetër) kur u nisnë Itoja me Bajramin për në Gjinokastrë si i veshmë me rroba tregtari...pllani ishte fort bukur përgaditur prandaj sytë edhe veshët i kishim qepur përmbi Gjinokastrë dyke pritur me padurim fërshëllimin e pushkës". Pas disa ditësh më18 mars forcat turke të dërguara nga valiu i Janinës rrethuan çetën ne fshatin Mashkullorë te Gjirokastrës, vazhdon më tej M. Grameno; "Duheshe të mos ndodhesha unë që të mirnja anë në Luftën e Mashkullores se fuqia t'eme është e dobëtë për të përshkruar e zugrafisur ashtu si kundër ngjajti...Ishte e martë brëm dyke u gdhirë 5 mars 1908 (sipas kalendarit te vjeter) kur ramë të flemë të qetuar që ska gjësendi kur ngrihet Çerçizi heth sytë në dritare edhe më thot: Mihal ja shif djem shkolle janë a njerës? Vështronj po nuku gjidheshin mir kurse Çerçizi me të hedhur dylbytë thërret: O burrani shokë se na rrethojti ushtërija...Vrasja e bimbashit ne Gjinokastrë edhe fama e luftës së Mashkullores ishin përhapur në Europë, duke bërë gazetat një bujo të madhe kështu që qarket e nalta të Stambollit zunë t'i japin nje rëndësirë të madhe lëvizjes kryengritse Shqiptare ,me tjatër anë u-hyri frika se në Shqipëri zuri një lëvizje e mbuluar në të gjitha anët për një kryengritje te përgjithshme". Çetat e lidhura me Komitetin "Për lirinë e Shqipërisë vazhduan të përshkonin krahina të ndryshme të Shqipërisë, shtypi i kohës shënon për batalione ushtarësh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që dezertonin për tu bashkangjitur me çetat shqiptare. Zgjerimi i luftës së armatosur dhe përhapja e ndenjave atdhetare nga komiteti "per lirinë e Shqipërisë" në vitet 1905 1908 janë tregues që themelimi e veprimtaria e Komitetit në historiografinë shqiptare zënë vend me rëndësi veçantë duke i paraprirë Kongresit të Manastirit në 1908, në të cilin u bë e mundur që kombi shqiptar të hynte në rradhë me popujt e qytetruar të Europës dhe kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 për pavarsinë e Shqipërisë me katër vilajetet shqiptare mbrenda saj.

Nga Dardan Emini, historian



Të ndryshme
Më shumë