TV LIVE
Kuriozitete
12 November 2024
Dështimi i atentatit ndaj kryeministrit të Perandorisë Osmane, në shenjë hakmarrje për Ismail Qemalin

Nga: Hasan Bello

Në vitin 1911 kontradiktat e shqiptarëve me xhonturqit arritën kulmin. Kryengritjet shpërthyen nga të gjitha anët. Për shtypjen e tyre, qeveria osmane dërgoi disa ekspedita, të cilat nuk arritën asnjë rezultat.

Në Parlament, lufta politike ishte po aq e ashpër. Gjatë një seance deputeti xhonturk i Serezit (qytet në Greqinë e sotme), Dervish beu qëlloi me shuplakë Ismail Qemalin. Ky akt bëri përshtypje shumë të keqe. Vetëm gjakftohtësia e disa deputetëve i ndaloi deputetët shqiptarë (Esat Toptanin), që të mos përdornin armët. Edhe ministri i Brendshëm, Talat pasha e ndonjë deputet tjetër i Komitetit Xhonturk, bënë përpjekje për ta evituar ndonjë skandal akoma më të madh në Parlament.

Në pushim të seancës, deputetët shqiptarë shkuan në zyrën e kryetarit, i cili nga frika apo ndonjë arsye tjetër, nuk gjendej aty. Ata i deklaruan nënkryetarit se, shqiptarin më mirë ta vrasësh sesa ta qëllosh.

Kjo punë nuk ngeli me kaq. Përveç indinjatës së thellë që shkaktoi ky incident te shtypi dhe kolonitë shqiptare, ai shoqërua me takime dhe organizimin e një kryengritje të përgjithshme. Ndërsa, xhonturqit bënë përpjekje për normalizimin e situatës.

Por, një dëshmitar i kësaj skene, që nuk kishte treguar asnjë emocion dhe reaksion të dukshëm, kishte marrë një vendim të rëndësishëm. Ai ishte deputeti kosovar Nexhip bej Draga, i cili sipas zakonit shqiptar e konsideroi këtë si një ofezë kombëtare, që mund të shlyhej vetëm me gjak.

Nexhip bej Draga mendoi se diçka e tillë do të lahej me vrasjen e kryeministrit, Ibrahim Haki Pashës. Për të kryer atentatin, Dervish Hima i sugjeroi atij një student nga Elbasani, Salih Hoxhën, i cili ishte në vitin e fundit të Akademisë Ushtarake. Ky i fundit e pranoi me entuziazëm këtë mision kaq delikat. Ndërsa, Nexhip beu mori përsipër të gjitha shpenzimet.

Për realizimin e atentatit, Salih Hoxha braktisi studimet dhe për disa ditë u vendos në dhomat e hotelit të njohur në Stamboll. “Hotel des princes”, në lagjen Pera e cila ndodhej afër Ambasadës britanike. Pas atentatit ishte planifikuar që ai të largohej me vapor jashtë Perandorisë Osmane.

Por, ajo që ndodhi ishte një gjë shumë e çuditshme, e cila për mendimin tim është një nga skupet më të mëdha në historinë e gazetarisë evropiane. Dervish Hima si publicist dhe me shpirt revolucionari, për t‘i treguar Vjenës rëndësinë e tij dhe për të fituar prioritetin e lajmit, i dërgoi një gazete të njohur austriake një shkrim ku bashkë me foton e Salih Hoxhës thoshte që nga çasti në çast pritet që të bëhej një atentat kundër kryeministrit osman, Ibrahim Haki Pashës. Kjo bëri që gazeta të nesërmen të botonte shkrimin së bashku me foton e Salih Hoxhës, e cila si rregull duhej të botohej pas atentatit.

Kështu, plani dështoi dhe Salihu u detyrua të largohej në emigracion i kërkuar nga policia osmane.



Të ndryshme
Më shumë