TV LIVE
Kuriozitete
8 November 2024
Abdurrahim Buza, piktori që solli thirrjen e gjakut në veprën e tij, mjeshtri që u frymëzu nga tradita, etnosi dhe historia

Albert Vataj

Pavarësisht kohës së cilës ai i përkiste, tablotë dhe tematikat që ai shtjelloi, tregojnë për një thirrje të ethshme të gjakut, të cilën ai e solli në punët e tij, duke mëtuar gjithëçfarë atë trevë e identifikon, epika, tradita, eksodi, etnosi, dhe padyshim ajo palet ngjyrash dhe ai arkaizëm shtjellimi estetik. Arti që ai realizoi, i përket një plejade artistësh, të cilët u rreken ta shpëtonin ndikimin që do të kërkonte dhe ngulmonte të vendoste sistemi politik dhe mbikëqyrja e rreptë e çensorve.

Kuvendi i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit nga Abdurrahim Buza

Trajtesa estetike te qasja e tij krijuese nuk ngacmohej nga indikatorë të çastit, duke dëshmuar pothuajse një shkëputje e qëllimtë nga realiteti i atypëratyshëm, për ta fokusuar tablonë e tij te mendimi, përkujtimi dhe përjetësimi që ai i bëri asaj që është shfletim në historinë e shqiptarëve në tokat etnike dhe në sfidën që ata bërë të pranishme për tu ndeshur me kohën. Tablotë më të spikatura të Abdurrahim Buza mbeten atëditë e sot, “Refugjatët”, “Malësori”, “Vajza gjakovare”, “Dasma gjakovare”, “Lojërat popullore”, “Azem Galica dhe luftëtarët”. Ata nuk janë thjesht figura, por shpirtëra të figuratizuar sipas kujtesës dhe shpërthim i emocioneve të artistit mbi ta, janë jetësimi që ai i bëri thirrjes së gjakut, lartësimi në aktin krijues të asaj që do të mbetej për të një testament i origjinës. Me patjetër Abdurrahim Buza bëri një art që më shumë se shprehi esteti ishte e predispozuar të rrëfente sagën e asaj shqiptarie që sa shumë u përpoq për të mbijetuar, për t’u ndeshur dhe për të dëshmuar përkatësinë e tyre identitare përmes traditës.

Ai ishte pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kombëtare, brenda dhe jashtë vendit që nga viti 1945 deri në vitin 1986. Vepra e tij është me dinjitet, është pritur me interes dhe vlerësuar nga kritika në shumë ballafaqime ndërkombëtare, hartën e të cilit e përbëjnë, Italia, Austria, Franca, Gjermania, Kina, Bullgaria, Armenia, Greqi, Egjipti, Australia, Maqedonia dhe patjetër edhe Kosova. Kudo ku ai u prezantu, dëshmoi për një vlerë që buronte nga stili i tij origjinal, motivet kombëtare që ai preferoi si trajtesë.

Abdurrahim Buza u lind në Shkup 22 dhjetor të vitit 1905, në një familje me origjinë nga Gjakova. Me ndihmën e Bajram Currit vazhdoi shkollën fillore në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas Normalen e Elbasanit (1923-1928). Si student mori pjesë në të ashtuquajturin revolucion demokratik të qershorit, të vitit 1924. Pas kësaj, iu krijua mundësia për të studiuar në Itali, financuar nga qeveria shqiptare. Për një vit, së bashku me skulptorin Odhise Paskali, ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura në Torino dhe më pas vazhdoi përgatitjen si piktor në Firence (1933). Kur u kthye në Shqipëri punoi si mësues vizatimi në Tiranë dhe që nga viti 1947 në shkollën e mesme artistike Jordan Misja, ku dhe doli në pension në vitin 1966. Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945. Karakteristikë e pikturave të tij janë ngjyrat e ndezura dhe një farë naiviteti fshataresk. Piktori ka trajtuar një mori të larmishme temash, nga portretet te peizazhet e Pogradecit dhe Tiranës si dhe temën historike, epike dhe kombëtare. Fryma e vendlindjes së tij, Kosovës, pasqyrohet në rreth 500 piktura në vaj si dhe në 10.000 skica, të cilat janë në ruajtje.

Ishte fat që pati drejtues atelieje piktorin e njohur italian të kohës, Galileo Chini (1873-1956, piktor dekorativ dhe qeramist, pjesëmarrës në dy prej Bienaleve të Venecias). Buza ishte një nga themeluesit e shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Gjithashu punoi në shkollën teknike “Harry Fultz”, në gjimnazin e Tiranës, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1960 fitoi titullin “Piktor i Merituar”, ndërsa në vitin 1978 fitoi titullin “Piktor i Popullit” të dhëna nga Kuvendi Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë. Është piktori i parë që pikturoi nudon e parë nga natyra në Shqipëri. Arkiva e veprave të tij ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe në Muzeun Buza, në Tiranë.

Abdurrahim Buza u shua më 7 nëntor 1986, duke mbetur në traditën shqiptare një personalitet i spikatur i pikturës. “Krijimtaria e tij na bënë të vetëdijshëm, për të thënë se koha për të shkruar një histori të plotë të artit shqiptar, mbështetur në parametra të koncepteve bashkëkohore, jo vetëm që ka ardhur, por kam frikë që ajo po kalon në indiferentizëm të plogësht. Nuk mohoj se aty-këtu është shkruar, por nuk duhet të harrojmë se vetëm tani mund të thuhen e shkruhen faktet e vërteta dhe drejtë. Megjithatë ky shkrim lidhet ngushtësisht me 100 vitet, që nga dita kur Buza, plaku, u lind në Shkup të Maqedonisë. Kjo histori e artit shqiptar ku mjeshtri do të zinte një nga vendet e nderit, ende mungon.KrijimtariaAskush nuk mund të thotë se piktura shqiptare është pa zë në këtë shekull. Pothuajse gjatë viteve të tij jetuan piktorë, të cilët na kanë trashëguar një pamje figurative, dydimensionale, të vërtetë të jetës, të njeriut dhe të mjedisit të tij, të mentaliteteve dhe marrëdhënieve në realen dhe irealen e tyre si shenja shpirtërore”, shkruhet në një të përditshme.

Duke vijuar më tej me materialin mëtohet se: Gjatë këtij shekulli, një figurë e tillë na përcjell në mënyrë të drejtëpërdrejtë kombinimin e shijeve estetike të shoqërisë shqiptare dhe të piktorëve të saj, duke na treguar shkallën e njohjes dhe sinqeritetin, veti pa të cilat nuk do të mund të realizohej krijimtaria e këtij lloji. Në këtë trashëgim, Buza na ka lënë pasqyrën e tij, e cila reflekton në mënyrë origjinale kodet e mësipërme. Veprat e Buzës, edhe pse mund t’i ndajmë në tre grupe, për sa i përket individualizimit të trajtave dhe tempit të ngjyrave, janë të thjeshta për tu kuptuar, komunikojnë me subjekte të ndryshme dhe ndikojnë mbi shikuesin ndjesinë e aprovimit dhe të kënaqësisë. Një vështrim i kujdesshëm mbi grupin e parë zbulon se Buza ende ka qenë nën ndikimin e akademisë. Të gjitha këto punime ruajnë fanatizmin dhe striktizmin e kompozimit dhe trajtimit artistik akademik. Ato tregojnë për një piktor shumë punëtor, kërkues ndaj vetes dhe prodhues i madh. Linja e vizatimeve në këtë periudhë është e kujdesshme dhe e ngjeshur. Ngjyra transmeton ndikimin e madh të pikturës impresioniste të shek. XIX. E natyrshme kjo për një artist fare të ri, të edukuar në perëndim. Në grupin e dytë të krijimtarisë vështrimi bije në kontakt me subjekte shumë të njohura e të marra nga jeta e përditshme. Portreti dhe natyra e qetë duket të ketë qenë një nga gjinitë më të preferuara të piktorit. Subjektet e tij janë autoportreti dhe portrete të tipave dhe moshave të ndryshme, të cilët gjenerojnë trajtim të qartë të tipareve, impresion të natyrshëm të shkaktuar nga modeli dhe sinqeritet të përdorimit të ngjyrës.

Motivet nga vendi i tij do të zënë vendin kryesor në këtë grup dhe, prej tyre, sot ruhen piktura të një vlere unikale e të papërsëritshme në historinë e artit shqiptar. Tërësisht ky grup është cilësuar si një trajtim artistik “primitiv”, vlerësim me të cilin nuk jam aspak në një mendje, pasi mendoj se kjo krijimtari ka lindur tërësisht prej meditimit figurativ mbi kujtesën e hershme pamore të ruajtur në vatrat e trurit të artistit dhe të shpërthyera fuqishëm gjatë periudhës më të nxehtë të komunizmit dhe luftës së klasave në Shqipëri.”

Ai i mbijetoi kohës duke patur fatin të pranohej si një zë që flet origjinës së vet dhe fatit në kapërcyell të atyre njerëzve, të asaj shqiptarie që udhëpriu në histori duke u ndeshur e duke u përpjekur në mbrojtje të përkatësisë së tyre identitare.

Abdurrahim Buza ishte dhe mbeti një piktor që e modernizoi artin përmes trajtesës kombëtare të modelit dhe frymëzimit, të shtjellimit të kompozicionit, idealizimit dhe atdhetarizmit, element këto sa e shpëtuan nga realzoci, aq dhe e mbajtën të panjollosur aktin artthënës. Ishte e mundur edhe në socializëm të bëje një art të bukur, të guxoje të pretendoje së po modernizoje shprehin estetike, jo dhe aq duke ua hedhur çensorve të realizmit socialist, se sa duke krijuar një identitet unik krijues, i cili penetronte përmes lenteve të mbikëqyrjes së rreptë dhe triumfonte nëpërmjet një arti të madh, që ishte dhe mbeti i tillë edhe sot.



Të ndryshme
Më shumë