TV LIVE
Nga Bota
7 November 2024
Gjermania para zgjedhjeve të parakohshme, DW: Scholz do të kërkojë në janar mocion votëbesimi në parlament, molla e sherrit…

“Sapo i kërkova Presidentit shkarkimin e Ministrit të Financave. E shoh të domosdoshme këtë hap për të shmangur dëmin ndaj vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri funksionale, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin tonë”, me këto fjalë kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri të njohur të mërkurën në mbrëmje, 6.11. se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë në Gjermani dështoi dhe se ai e kishte shkarkuar ministrin e Financave, Christian Lindner.

Kancelari 66-vjeçar socialdemokrat nuk i kurseu kritikat e ashpra ndaj zëvendëskancelarit 45-vjeçar nga partia liberale. Ai e akuzoi për sjellje të papërgjegjshme, duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Gjermania.

Molla e sherrit: Frena buxhetore

Scholz i kishte kërkuar Lindner-it që ta zbuste përkohësisht frenën buxhetore për të plotësuar hendekun buxhetor. Oferta e fundit e Scholz-it përfshinte katër paketa: një paketë për uljen e çmimit të energjisë për kompanitë gjermane, një paketë për mbrojtjen e vendeve të punës në industrinë e automobilave, një paketë për të stimuluar investimet duke sjellë lehtësime tatimore për kompanitë që duan të investojnë në Gjermani, si dhe një paketë për rritjen e mbështetjes për Ukrainën, e cila po përballet me një dimër të vështirë. Bëhet fjalë për 10 miliardë euro më shumë, prej të cilave 3 miliardë janë para parë për Ukrainën, të cilat ministri i financave nuk i lëshon.

Scholz tha se sidomos mbështetja për Ukrainën është një sinjal i rëndësishëm, sidomos pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet në SHBA, që u thotë ukrainasve. “Ju mund të llogarisni me ndihmën tonë!”. Sholz shtoi se “Ministri i Financave nuk tregon asnjë gatishmëri për ta zbatuar këtë ofertë për të mirën e vendit tonë. Nuk dua t’i imponoj vendit një sjellje të tillë,” tha Scholz, duke justifikuar kështu vendimin e tij për të kërkuar nga presidenti Frank-Walter Steinmeier shkarkimin e politikanit liberal.

Votëbesim në janar, zgjedhje në mars?

Scholz bëri të ditur se si do të vijojë më tej: „Jemi të një mendje me Robert Habeck: Gjermania ka nevojë për qartësi të shpejtë mbi kursin politik të mëtejshëm,” tha kancelari. Ai njoftoi se në 15 janar do të kërkojë votëbesim në Bundestag, për të hapur kështu rrugën për zgjedhje të parakohshme që mund të mbahen në mars. Gjithashtu, ai njoftoi se javët e mbetura të seancave parlamentare deri në Krishtlindje dëshiron t’i shfrytëzojë për të miratuar disa ligje të rëndësishme që nuk presin më. Scholz tha se do të fliste edhe me kreun e opozitës konservatore, Friedrich Merz: „Dua t’i ofroj bashkëpunim konstruktiv në dy fusha kryesore për vendin tonë: në forcimin e shpejtë të ekonomisë sonë dhe në mbrojtje”.

Liberalët tërhiqen nga koalicioni

Pas shkarkimit të ministrit të tyre, liberalët bënë të ditur se do t’i tërheqin edhe ministrat e tjerë nga koalicioni. Kryetari i grupit parlamentar, Christian Dürr, njoftoi në Berlin se ministrat e FDP-së do të paraqesin dorëheqjen e tyre kolektivisht te presidenti. Me këtë veprim, FDP i dha fund koalicionit trepalësh të qendrës së majtë. Dürr tha se tani duhet ta vendosin zgjedhësit se cilin drejtim duhet të marrë vendi, por premtoi se për periudhën e mbetur, FDP do të vazhdojë të jetë konstruktive në Bundestag dhe do të bashkëpunojë me të gjitha grupet parlamentare demokratike.

Në një prononcim për media, ministri i shkarkuar, Christian Lindner, tha se propozimet e Scholz-it nuk mjaftonin aspak për të rritur ekonominë gjermane. Sipas tij, Gjermania ka nevojë për ndryshim të thellë ekonomik që do të përfshinte masa më të guximshme, si uljen e shpenzimeve publike dhe stimuj për bizneset, për t’i aftësuar ato për të përballuar konkurrencën dhe për të rimëkëmbur pozicionin ekonomik të vendit.

Opozita kërkon sa më shpejt votëbesim

Zëvendëskancelari gjerman nga partia e Gjelbër dhe njëherazi ministër për Ekonomi dhe Energji, Robert Habeck, shprehu keqardhje për prishjen e koalicionit qeverisës me SPD-në dhe FDP-në. Por tha se pas zgjedhjes së Donald Trump-it si President i SHBA-ve, se Gjermania dhe Evropa duhet të tregojnë aftësi veprimi. “Ne do të hapim shpejt rrugën për zgjedhje të reja,” tha politikani i Gjelbër, në një deklaratë të bërë në mbrëmje në Berlin pranë zyrës së kancelarit, ku kishte shkuar së bashku me ministren e jashtme, Annalenan Baerbock.

Kryetari i CDU-së, njëkohësisht kandidat për kancelar, Friedrich Merz, nuk kishte reaguar ende deri në mbrëmje. Por nga radhët e partisë së tij u dëgjuan shumë zëra që votëbesimi të bëhet sa më shpejt e pa vonesa. „Olaf Scholz duhet ta kërkojë tani e pa vonesë votëbesimin, që të kemi një qeveri të re dhe të aftë për të vepruar,” tha nënkryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Matthias Middelberg për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Edhe Roderich Kiesewetter, një tjetër politikan kristiandemokrat, kritikoi afatin e largët për votëbesimin. Kiesewetter tha se ekzistojnë edhe mundësi të tjera, si një votë mosbesimi konstruktive, që do të mundësonte që FDP, të Gjelbrit dhe Unioni ta zgjedhin Friedrich Merz si kancelar.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Gjermani janë parashikuar të zhvillohen në shtator të vitit të ardhshëm. Friedrich Merz është edhe zyrtarisht kandidati për kancelar i konservatorëve CDU/CSU, dhe rivali kryesor i kancelarit aktual, Olaf Scholz.

Dy partitë populiste e mirëpritën prishjen e koalicionit

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e mirëpriti shembjen e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, duke e cilësuar atë si një “çlirim” të shumëpritur për Gjermaninë. Kryetarët e grupit parlamentar të AfD-së në Bundestag, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, akuzuan të mërkurën në mbrëmje se koalicioni i përbërë nga socialdemokratët e Scholz-it, të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së e kishte çuar vendin drejt një humnerë ekonomike. “Tani kemi nevojë urgjente për një fillim të ri politik për ta nxjerrë ekonominë dhe vendin nga kriza e rëndë në të cilën është zhytur për shkak të politikave të udhëhequra nga ideologjia e SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së,” shtuan ata.

Sahra Wagenknecht, kryetarja e Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW), kritikoi kancelarin Olaf Scholz për zvarritjen e votëbesimit deri më 15 janar, duke e quajtur atë një „zvarritje e falimentimit politik“. Ajo akuzoi Scholz-in për një „fjalim vetëkënaqësie“ në vend të një ndjese për dështimet e qeverisë. Wagenknecht tha se plani i Scholz-it për të zbutur kufirin e borxhit për të financuar armë për Ukrainën, ndërsa infrastruktura dhe pensionistët në Gjermani vuajnë, tregon „se kjo qeveri ka dështuar me të drejtë.“

Në politikën gjermane, është e pazakontë që një ministër të shkarkohet nga detyra. Gjithsej ka pasur pesë mocione votëbesimi sipas nenit 68 të Kushtetutës. Vetëm në dy raste Helmut Schmidt në 1982 dhe Gerhard Schröder në 2001), votëbesimi ishte i sinqertë, për të siguruar mbështetjen e shumicës parlamentare. Ndërsa në tre raste të tjera (Willy Brandt në 1972, Helmut Kohl në 1982 dhe Gerhard Schröder në 2005), votëbesimi u përdor si strategji për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme. /DW/



Të ndryshme
Më shumë