Hansi Flick nuk kënaqet kurrë më pak. Pas derbit të fituar kundër Espanyolit, bëri një paralajmërim për të tijtë: “Kemi fituar, por të mërkurën duhet të jemi në një nivel tjetër”.
Paralajmërimi i pati efektin e duhur, Barça ishte e fokusuar nga minuta e parë deri në 90-tën në fitoren 5-2 ndaj Crvena Zvezdës.
“Jam vërtet i lumtur, e vlerësoj shumë paraqitjen që bëmë në Beograd. Luajtëm shumë mirë me topin, gjithashtu në mbrojtje.
Kemi bërë presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit. Për mua të rëndësishme janë 3 pikët. Ishte shumë e rëndësishme të fitonim këtu, pasi e humbëm ndeshjen e parë kundër Monacos jashtë. Nuk është e lehtë të fitosh jashtë fushe në këtë kompeticion, kudo qoftë, por sonte bëmë paraqitje të mirë”.
Trajneri gjerman vlerësoi Crvena Zvezdan, që, sipas tij, nuk e humbi kurrë toruan në lojë:
“Jam dakord me fjalët e Iñigos. Serbët luajtën shumë mirë, dinë të luajnë me topin dhe është e vështirë t’u depërtosh në mbrojtje. Për më tepër, ne luajtëm në një atmosferë që ishte fantastike. Nuk është e lehtë të qëndrosh i përqendruar për 90 minuta, por sonte ia dolëm. Kjo është diçka që e vlerësoj shumë”.
Hansi Flick u pyet edhe për Pau Cubarsín, i cili pësoi një goditje të fortë në fytyrë në minutat e fundit të lojës:
“Është mirë, i kanë bërë disa qepje në fytyrë për t’ia mbyllur plagët. Sidoqoftë, është i ri dhe do të rikuperohet shpejt. Kur plakesh, është më keq. Lewandowski? Është faji im nëse e zëvendësova dhe ai nuk mundi të arrinte 100 gola, por ndeshjen e ardhshme do të luajmë kundër Real Sociedad dhe kemi nevojë për lojtarë të freskët. Kjo është arsyeja pse e zëvendësova. Robert na ndihmoi shumë me dopietën e tij”.
Për Koundé dhe tri asistimet e tij, trajneri shtoi: “Ai është një shembull shumë i mirë për të gjithë ekipin. Është një profesionist i vërtetë, shumë i përfshirë, e vlerësoj shumë rolin e tij.”