TV LIVE
Kuriozitete
7 November 2024
Anton Çetta, shqiptari i palodhur i mirësisë

Ditë më parë është shënuar 29-vjetori i vdekjes së veprimtarit e profesorit, Anton Çetta. Ai mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar. Por veprimtaria e tij më e madhe është në #P. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të pajtojë hasmëritë mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare. Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës.

Shkrimtar, profesori i letërsisë dhe patriot shqiptar. Anton Çetta, i mirënjohur për pajtimin e gjakut në Kosovë, lindi në vitin 1920 në Gjakovë. Mbarë populli shqiptar, atë e kujton si plakun e urtë që pajtoi shumë familje, të cilat prej vitesh ishin në hasmëri mes njëra-tjetrës.

Anton Çetta mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968, ai ligjëroi lëndët, si: letërsia e vjetër shqiptare, historia e letërsisë dhe gjuhë latine, në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklorike,nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968, Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Ka punuar si pedagog në letërsinë e vjetër shqipe në Universitetin Hasan Prishtina. Ai njihet si pajtues i gjaqeve në të gjitha viset e Shqipërisë. Ka qenë deputet i LDK në zgjedhjet e para të vitit 1992 me Ibrahim Rugovën, në kohën e strukturës paralele.

Anton Çetta vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, për të mbetur përjetë në mendjen e njeriut shqiptar, si plaku i urtë që arriti t bashkojë mijëra familje shqiptare.



Të ndryshme
Më shumë