Trump pas fitores u drejtohet amerikanëve: Do të luftoj për ju me secilën frymë të trupit tim
Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim emocionues përpara turmës së përkrahësve të tij në selinë qendrore të Trump Organization, e cila e priti me brohorima “USA, USA”.
Trump, i shoqëruar nga familja dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, nisi fjalimin duke falënderuar votuesit dhe ekipin e tij për mbështetje të palodhur.
Ai e cilësoi këtë moment si “lëvizjen më të madhe politike të të gjitha kohërave”, duke theksuar se ShBA-ja ka nevojë urgjente për t’u shëruar dhe për të rregulluar politikat e kufijve.
“Do t’i rregullojmë kufijtë”, tha Trump, ndërsa e cilësoi fitoren si një arritje të jashtëzakonshme për amerikanët.
Presidenti i ri theksoi se do të luftojë për qytetarët amerikanë me “secilën frymë të trupit të tij” dhe premtoi se do të krijojë një “epokë të artë” për vendin. Ai falënderoi bashkëshorten e tij, Melania Trump, për mbështetjen dhe punën e saj në ndihmën e të tjerëve, duke e cilësuar atë si autoren e librit më të shitur në ShBA.
“I kemi tejkaluar pengesat që kanë menduar se nuk mund të tejkalohen, por shihni çfarë ndodhi, kjo është e mrekullueshme. Do të luftoj me secilën frymë të trupit tim për ju. Kjo do të jetë epoka e artë e Amerikës. Kjo është fitore madhështore për amerikanët që na mundëson ta bëjmë Amerikën të mrekullueshme sërish. Do t’ju bëj krenar me votën tuaj”, deklaroi Trump.
Ai po ashtu shprehu optimizëm për katër vjetët në vijim, duke theksuar se do të punojnë për të rregulluar kufijtë dhe për të siguruar që njerëzit të vijnë në ShBA në mënyrë ligjore. Ai përfundoi duke u premtuar amerikanëve se kjo fitore është një mundësi për të bërë Amerikën të mrekullueshme sërish.
Donald Trump është president i 47-të i ShBA-së.
Zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ia japin një fytyrë të re vendit më të fuqishëm në botë.
Kamala Harrisi te Demokratët në një anë, dhe Donald Trumpi te Republikanët, janë vënë ballë për ballë për të zënë zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Përderisa Trumpi kërkon një mandat të dytë, joradhazi, Harrisi synon të bëhet gruaja e parë në krye të Amerikës.
Klankosova.tv do t’ju mbajë të përditësuar në kohë reale me të rejat më të fundit.