Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, la të kuptohet se nuk do të luante kundër Milanit në Ligën e Kampionëve të martën nëse do të ishte në dorën e tij, duke pasur parasysh përmbytjet katastrofike në rajonin e Valencias gjatë javës së fundit.
Reali e pret Milanin në Madrid të martën mbrëma në ndeshjen e xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja Real Madrid – Milan luhet nga ora 21:00. Është ndeshja kryesore e xhiros së katërt. Reali zë vendin e 12-të me gjashtë pikë nga tri ndeshje, kurse Milani është në vendin e 25-të me tri pikë.
Do të jetë një “ribashkim” i Ancelottit dhe kuqezinjve. Tekniku italian me Milanin fitoi dy Liga të Kampionëve, një titull në Serie A, Kupën e Italisë, Superkupën. Me ekipin italian si lojtar fitoi shtatë tituj.
Ancelotti në konferencën e tij për media para ndeshjes kundër Milanit vendosi të mos flasë për futbollin për shkak të respektit për situatën në Valencia.
“Për respektin e të gjithëve, do të përpiqem të jap një konferencë të thjeshtë për shtyp, sepse nuk kam dëshirë të flas për futbollin edhe pse nesër është një lojë e veçantë për mua”, ka thënë Ancelotti.
Më vonë ai shpjegoi se futbolli është festë dhe se është pranueshme të festosh vetëm kur rrethanat janë të mira.
Real Madridi duhej të luante kundër Valencias në La Liga, por ndeshja e së shtunës u shty.
“E gjithë bota e futbollit e kishte të qartë. Askush nuk donte të luante dhe mendoj se ky ishte vendimi i duhur, thjesht duhet të respektojmë atë që na thuhet të bëjmë”, tha Ancelotti. “Futbolli është një festë. Ju mund të festoni kur ju, familjet e juaja dhe të gjithë të tjerët janë mirë, por kur të gjithë nuk janë mirë, ju nuk mund të festoni. Për mua, është dashur të pezullohen ndeshjet, sepse edhe pse është i rëndësishëm, është gjëja më pak e rëndësishme për momentin. Por ne jemi të përfshirë, nuk kemi ne përgjegjësitë, prandaj duhet të luajmë”.
Megjithatë, Ancelotti në një intervistë për “Sky” ka folur për ndeshjen që Reali e luan ndaj Milanit, që ka vetëm një fitore, ndërsa dy të tjera i ka humbur.
Reali ka dy fitore e një humbje.
Ancelotti beson se Milani është ende i rrezikshëm pavarësisht fillimit të vështirë.
“Ata nuk e nisën mirë, por janë një ekip shumë i rrezikshëm, sepse kanë cilësi të shkëlqyera në sulm. Është një ekip që ka shumë potencial”, ka thënë Ancelotti.
Edhe trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, ka folur për përmbysjet në Valencia.
“Është e vështirë të flasësh për atë që po ndodh në Valencia. Në Itali kishim diçka të ngjashme, jo të krahasueshme, por ne jemi me njerëzit e Valencias”, ka thënë Fonseca.
Trajneri i Milanit e cilëson si kandidatin kryesor për ta fituar Ligën e Kampionëve.
“Ne i qasemi ndeshjes me motivin më të madh. Do të përballemi me një ekip që zakonisht është kandidat për të fituar Ligën e Kampionëve. Do të përpiqem t’i fus në fushë lojtarët që kanë dëshirën për të fituar. Nuk do të jetë ndryshe as ndaj Realit. Unë po ashtu synoj gjithnjë fitore, edhe ndaj Realit, i cili është i jashtëzakonshëm, por mendoj vetëm për fitore”, ka thënë Fonseca.
Ai ka konfirmuar se nga minuta e parë do të paraqitet sulmuesi Rafael Leao.
Të martën luhen edhe tetë duele të tjera. Edon Zhegrova me Lille presin Juventusin, kurse Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës ka udhëtim të vështirë ndaj Liverpoolit. Dy ndeshjet zhvillohen nga ora 21:00. Tjerat ndeshje që nisin nga ora 21:00 janë: Bologna – Monaco, Celtic – Leipzig, Dortmund – Sturm Graz, Sporting – Manchester City.
Dy përballje janë nga ora 18:45. Luajnë PSV – Girona dhe Slovan Bratislava – Dinamo Zagreb.