TV LIVE
Nga Vendi
4 November 2024
VLEN: Fronti i Ahmetit dhe Selës vepron pa busull

Menduam se 100 ditë janë kohë e mjaftueshme që Ahmeti dhe Sela ta pranojnë realitetin dhe t’i kthehen riorganizimit të brendshëm kadrovik dhe programor, para se të fillojnë të kërkojnë besimin e shqiptarëve. Megjithatë, duke nënvlerësuar naivisht inteligjencën e popullit, ata ngulin këmbë që mungesën e tyre në këtë qeveri ta shndërrojnë në arsye për të krijuar tensione ndëretnike, thuhet në komunikatën e partive shqiptare në pushtet, VLEN.
“Fakti që ky skenar tinëzar nuk po u kalon te shqiptarët, të cilët ua bënë të qartë se nuk do të bëhen mjet për mbrojtjen e ish-funksionarëve të tyre të korruptuar, i ka bërë Ahmetin dhe Selën të frustruar, të hutuar dhe pa busull. Gjithë verën premtuan protesta në vjeshtë, pastaj kaluan në takime me anëtarësinë e tyre të zhgënjyer, shkruajnë letra patetike dhe i shtyjnë deputetët të jenë si pano të lëvizshme.
Koalicioni VLEN i kujton opozitës së çorientuar shqiptare se i detyrohet opinionit përgjigje për shumë pyetje të ndjeshme, të cilat kanë mbetur në kujtesën e tyre si shenjë dalluese e regjimit të tyre dhe si një përkujtim për hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e tyre të sotme.
Pse “perëndimorët” e BDI-së iu përulën Lavrovit në mes të Shkupit? Pse, sa ishin në pushtet, i dhanë shtetësi Aleksandër Onishçenkos, ndërkohë që mijëra shqiptarë të lindur në Maqedoni i lanë pa shtetësi? Pse i dhanë biznese në Tetovë Daka Davidoviqit, që është në listën e zezë të SHBA-së?
Pse Ahmeti nuk shkruante letra për mbrojtjen e shqiptarëve kur ishte pjesë e Qeverisë së Gruevskit dhe Mijallkovit? Pse Ahmeti vendosi ta pengojë Arben Taravarin të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe i bëri thirrje votuesve për bojkotimin e zgjedhjeve për president më 8 maj? Pse Ahmeti rrejshëm pohonte se është partner i sigurtë koalicioni me VMRO-DPMNE-në në Qeveri, sepse gjoja ka mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë?
Kush është krijuesi i ofertës së turpshme të BDI-së, e bërë në kancelarinë kuvendore me numër 161, për hyrje në Qeveri në vend të VLEN-it, me katër ministri, pa kryetar të Kuvendit dhe me premtimin për mbështetje në terren për të zgjedhur maqedonas për kryetarë të komunave në Strugë dhe Kërçovë në zgjedhjet lokale të vitit 2025?
Pse Ahmeti përmes instalimeve të tij në drejtësi po tenton të destabilizojë vendin përmes vendimeve për ta mbajtur në paraburgim luftëtarin e UÇK-së Blerim Ramadani, duke hequr balancuesin, tentimin për ta sjell Ligjin për branitellat dhe duke problematizuar përdorimin e gjuhës shqipe?
Si dhe me miliona euro të kujt, Drin Ahmeti u bë pronar i Soravisë? Sa tenderë kanë fituar nipërit e Ahmetit falë regjimit të BDI-së? Ku janë milionat nga bizneset e kazinove të Artanit dhe Përparimit? Sa para të popullit kanë përfunduar në xhepat e funksionarëve të BDI-së?
Pse Ahmeti dhe Osmani po punojnë aktivisht kundër anëtarësimit të plotë në BE, duke penguar të ndodhin ndryshimet kushtetuese?
Përderisa nuk ka përgjigje për këto dhe shumë pyetje të tjera, fronti i Ahmetit dhe Selës nuk ka çfarë të kërkojë nga shqiptarët.
Koalicioni VLEN është shpresa e shqiptarëve!”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.



Të ndryshme
Më shumë