TV LIVE
Nga Rajoni
4 November 2024
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi tash katër vjet në paraburgim

Të akuzuarit në rastin më të madh të Gjykatës Speciale në Hagë janë tash skatër vjet në paraburgim. Njohësit vlerësojnë se ritmi i gjykimit është shpejtuar së fundi shkaku i parashtrimeve të Prokurorisë. E këtë muaj në Speciale pritet të nisë edhe rasti i dytë me tre të akuzuar për krime kundër administrimit të drejtësisë

Më 4 dhe 5 nëntor bëhen katër vjet që kur ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, janë nën masën e paraburgimit të urdhëruar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjykimi i ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nën akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit i ka pasur deri tani gjysmën e dëshmive të mbyllura, por njohësit vlerësojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërmarrë hapa për ta shkurtuar kohën e gjykimit.

“Me sa jam në njohuri janë larguar 11 dëshmitarë dhe atë me vetëkërkesën e Prokurorisë së Specializuar, natyrisht se kjo do të ndikojë në masë të konsiderueshme, nuk mund të them në masë të madhe në shpejtimin e procedurës, pasi që edhe dëgjimi i dëshmitarit merr kohë dhe nëse Prokuroria heq dorë nga dëgjimi i dëshmitarit dhe kjo nënkupton se koha për paraqitjen e provave do të jetë më e shkurtër dhe për rrjedhojë edhe procedura do të jetë më efikase. Konsideroj se këtu ka hapësirë ende të reduktohet numri i dëshmitarëve, ngase gjykata duhet të kujdeset për zbatim të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, ka thënë avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini.

Mbrojtja e të akuzuarve mund ta kërkojë hedhjen e aktakuzës pasi Prokuroria ta përmbyllë paraqitjen e dëshmitarëve të saj që e projekton më së largu deri në prill 2025. E, në rast se kjo kërkesë refuzohet, avokati Qerkini thotë se mbrojtja nuk pritet të marrë kohë sa Prokuroria, por shumë më shkurt.

“Nëse mbrojtja nuk ka shumë prova për të prezantuar, atëherë fillimi i vitit 2026 mund të jetë një kohë e arritshme për të pasur një epilog gjykimi në shkallë të parë”, ka thënë ai. Avokati dhe eksperti i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, thekson se rreth 50 për qind e dëshmive deri tani janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun. E lidhur me efikasitetin e rrjedhës së lëndës ai vlerëson se rastit po i vjen fundi. “Sigurisht që procesi është duke shkuar kah fundi, por sigurisht që do të marrë kohë edhe pjesa e mbrojtjes se sa do të jetë numri i dëshmitarëve që do të dëgjohen…Në rast se vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këto kufizime që i ka dhënë trupi gjykues, unë pres që kah fundi i vitit të ardhshëm mund të ketë një vendim të shkallës së parë, por çdo gjë varet nga propozimet, numri i dëshmitarëve, nga provat të cilat do të administrohen gjatë shqyrtimit kryesor”, ka thënë Alija.

Ndërsa hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj, ka theksuar se ZPS-ja ka marrë veprime për ta bërë procedurën më efektive në përputhje me udhëzimet e gjykatës, por, sipas tij, kujdes duhet të bëhet që kjo të mos jetë në dëm të asnjërës prej palëve. “Tani Prokuroria është duke marrë veprime të cilat dërgojnë në një përfundim të procesit më shpejt, ka vepruar në dy drejtime duke u tërhequr nga dëshmia e një pjese të dëshmitarëve dhe një pjesë të dëshmitarëve tjerë është duke i deponuar dhe ka deponuar dëshmi me shkrim dhe nuk do të ftohen ata që të jenë pjesë e dëshmisë drejtpërdrejt…. Sa më shumë që është e mundur të shkurtohet koha e përfundimit të procesit, mirëpo në asnjë mënyrë që mos të veprohet me qëllim të shkurtimit të kohës dhe në tjetër anë të dëmtohen palët në procedurë dhe të kemi një shkelje të palëve në procedurë vetëm me qëllim që të shkurtohen afatet për përfundimin e gjykimeve”, është shprehur Kolaj.

Krahas kalimit të katër vjetëve që kur janë në paraburgim të akuzuarit e rastit më të madh të Speciales, këtë muaj pritet të nisë edhe rasti i dytë i Speciales nën akuzat për frikësim të dëshmitarëve. Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët akuzohen për krime kundër administrimit të drejtësisë, do të paraqiten më 14 nëntor. (Koha.net)



Të ndryshme
Më shumë