Demokratja Kamala Harris zhvilloi takimin përmbyllës në Detroit të Miçiganit, në një kishë afrikano-amerikane, ndërsa rivali i saj republikan Donald Trump mbajti një tubim zgjedhor në Pensilvani.
Harris iu drejtua 200,000 arabo-amerikanëve të Miçiganit, duke e filluar fjalimin e saj me një minutë heshtje për viktimat civile të konfliktit të Izraelit me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban.
“Dua të them se ky vit ka qenë i vështirë, duke pasur parasysh shkallën e vdekjes dhe shkatërrimit në Gaza dhe duke pasur parasysh viktimat civile dhe zhvendosjen në Liban, është shkatërrues. Dhe nëse zgjidhem si presidente, unë do të sjellë pengjet në shtëpi, do të sigurohem që Izraeli të jetë i sigurt si dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, liri, siguri dhe vetëvendosje.”
Në 5 nëntor pritet të përcaktohet edhe kontrolli i Kongresit. Republikanët janë në një pozicion më të favorshëm për të fituar shumicën në Senat, ndërsa demokratët mund të kenë mundësinë të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Pra, Michigan, dy ditë kanë mbetur! Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të jetës sonë. Nuk mjafton vetëm të lutemi, nuk mjafton vetëm të flasim. Ne duhet të veprojmë sipas planeve ne dhe duhet t’i kthejmë ato në realitet.”
Në tubimin e tij të parë, nga tre që mbajti në total ish-Presidenti Trump komentoi me tone kritike sondazhet që tregonin për rritje të mbështetjes për Harris. Ai e cilësoi Partinë Demokrate “parti djallëzore” si dhe i cilësoi sërish emigrantët bandë kriminale.
“Duhet të dini vetëm një gjë, gjithçka që shkatërroi Kamala ne do ta rregullojmë. Por gjithçka që mund të them është, të martën, thjesht dilni dhe votoni. Harris ka shkelur betimin e saj, ka zhdukur kufirin tonë sovran dhe ka lëshuar një ushtri bandash dhe migrantësh kriminelë.”
Trump do të mbajë tubime elektorale në Kinston të Karolinës së Veriut dhe Mejkën të Xhorxhias. Nga shtatë shtetet vendimtare, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut renditen të dytat. Sondazhet tregojnë se dyshja janë në një garë të ngushtë , me Harris e cila ka mbështetje të madhe nga votueset femra, ndërsa ish-presidenti Trump a fituar terren me votuesit hispanikë , veçanërisht meshkujt. Më shumë se 78 milionë amerikanë kanë hedhur votën e tyre në votimet e hershme sipas Laboratorit Zgjedhor të Universitetit të Floridës.