Rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar për të rinjtë janë zbatuar vetëm pjesërisht, për këtë arsye mbeten të vlefshme. Vitin e ardhshëm RMV-ja duhet të zbatojë strategjinë e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë. Kjo mes tjera thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin për sa i përket pikave që prekin të rinjtë.
Kur flasim për të rinjtë, Raporti i KE-së kryesisht është i fokusuar te papunësia.
Siç thuhet në Raport, shkalla e papunësisë për të rinjtë (mosha 15-24 vjeç) ra me 3,2 pikë përqindjeje, në 29,3%, duke reflektuar rënie të fortë të fuqisë punëtore në këtë grup.
“Maqedonia e Veriut ka zbatuar Garancinë për Rininë që nga viti 2018, gjë që e ka ndihmuar atë të zvogëlojë ndjeshëm papunësinë e të rinjve në vitet e fundit, e cila megjithatë mbetet ende e lartë”, thekson Raporti.
Theksohet se kapaciteti i Agjencisë për Punësim duhet të përmirësohet më tej, “me synimin për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin e ofrimit të masave aktive të tregut të punës dhe Garancisë për Rininë”.
Masa kryesore për trajtimin e papunësisë së të rinjve mbetet Skema e Garancisë për Rininë, ndërsa zbatimi i saj vazhdoi në të gjithë vendin, pas miratimit të Planit të Zbatimit të Garancisë Rinore për 2023-2026.
“Gjatë periudhës raportuese janë zbatuar Plani Operativ për Programet dhe Masat Aktive të Punësimit dhe Shërbimet e Tregut të Punës 2023 dhe Garancia për Rininë duke mbuluar 12788 persona, veçanërisht të rinjtë”, tregon Raporti.
Pavarësisht kritikave për papunësinë, Raporti thekson se autoritetet miratuan strategjinë kombëtare për rininë për 2023-2027 së bashku me planin e veprimit për 2023-2025. Ndërsa edhe se vendi ka vazhduar bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare në fushën e rinisë.
Kritika të ngjashme në fushën e rinisë kishte edhe Raporti i vitit të kaluar i KE-së.
Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.