TV LIVE
Nga Bota
2 November 2024
Beteja e Egjiptit për kthimin e Nefertitit nga Gjermania

Nëse Berlini duhet t’ia kthejë Egjiptit bustin e mbretëreshës Nefertiti, është një çështje e kahershme, temë e cila është rikthyer edhe tash kur janë nismuar iniciativa serioze për këtë synim. 

Nga Egjipti kërkohet që autoritetet gjermane ta kthejnë më në fund skulpturën e cila tash e më shumë se 100 vjet gjendet në Berlin. Autoritetet gjermane refuzojnë ta bëjnë këtë dhe thonë se skulptura do të qëndrojë aty ky është. 

Çmimi i skulpturës llogaritet të jetë 400 milionë euro, dhe është një prej artefakteve më të njohura të Egjiptit të lashtë. Prej vitit 1922, ky bust tre mijë e 370 vjet i vjetër gjendet në Berlin. 

Tash – dhe atë jo për herë të parë – vjen kërkesa nga Egjipti që Gjermania ta kthejë në vendin e vet. 

Arkeologu Zahi Havas, ish-ministër i Egjiptit për antikitete, qysh prej vitit 2011 është angazhuar për këtë çështje. Kohë më parë ka nismuar peticionin me të cilin i bën thirrje Gjermanisë që ta kthejë bustin e njohur i cili gjendet në “Neues Museum” të Berlinit. 

“Busti i mrekullueshëm dhe unik për vlerat estetike dhe historike gjendet në Gjermani, por është koha që të kthehet në shtëpinë e vet në Egjipt”, shkruhet në peticion. 

Ekipi i arkeologëve gjermanë më 1912 do ta zbulonte veprën e njohur. Një vit më vonë e barti në Evropë. Nefertiti u bë atraksion i rëndësishëm turistik dhe për disa pjesë e pandashme e Berlinit. 
Busti prej guri gëlqeror, i cili besohet se është realizuar në vitin 1345 p.e.s., quhet ndryshe edhe “Ambasadori i Egjiptit”. 

Por arkeologia egjiptiane Monica Hanna e sheh ndryshe. “Ambasadori nënkupton shkëmbim diplomatik”, ka thënë ajo për “Deutsche Welle”. “Por, a mori Egjipti diçka të rëndësishme në këmbim, diçka si ‘kurora e mbretit prusian Friedrichu i Madh apo ndonjë pikturë të Albrecht Dürerit?’. Besoj se jo. Nëse dërgoni një ambasador vetëm në një drejtim, ai është një peng”. 

Monica Hanna bën thirrje për “dekolonizimin e arkeologjisë egjiptiane”. Pretendon se iniciativa për kthimin e Nefertitit po has në rezistencë, sepse do të “krijonte një precedent që do të hapte rrugë për kthimin e shumë objekteve të ndryshme të marra gjatë kolonializmit”.

Muzeu i Berlinit thotë se nuk ka arsye ta kthejë.

Fondacioni Prusian për Trashëgiminë Kulturore, i cili mbikëqyr koleksionet e Muzeut të Berlinit, e ka pranuar në të kaluarën se koleksionet përmbajnë vepra të vjedhura arti, si disa skulptura bronzi nga Benini. Disa u kthyen më pas në Nigeri më 2022.

Megjithatë, busti i Nefertitit thuhet se është marrë ligjërisht nga Egjipti, pasi u zbulua në mbetjet e qytetit të Amarnas, kryeqyteti jetëshkurtër nën sundimin e faraonit Enaton, bashkëshortit të Nefertitit. Pas vdekjes së tij, qyteti në bregun lindor të Nilit u braktis më 1335 p.e.s. 

“Busti i Nefertitit u gjet gjatë gërmimeve të miratuara nga Autoriteti Egjiptian i Antikiteteve”, ka thënë Stephan Müchler , zëdhënës i Fondacionit Prusian për Trashëgimi Kulturore. “Mbërriti në Berlin bazuar në ndarjen e zakonshme të gjetjeve të atëhershme që përfshinte shumë sende të tjera. Busti është nxjerrë ligjërisht jashtë vendit dhe nuk ka asnjë kërkesë për kthimin e tij nga Qeveria egjiptiane”, ka thënë ai në një deklaratë me shkrim për DW-në. 

Ai i referohet një marrëveshjeje me autoritetet egjiptiane që parashikonte një ndarje 50 me 50 të rreth 10.000 artefakteve të gjetura në këmbim të financimit të siguruar nga magnati gjerman i pambukut dhe tekstilit James Simon. Ekspertët gjermanë të artit thonë se një përfaqësues i Qeverisë egjiptiane përzgjodhi gjysmën e objekteve, ndërsa gjysma tjetër u dërgua në Gjermani, duke përfshirë bustin që u ekspozua në Muzeun e Berlinit disa vjet më vonë.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: KOHA



Të ndryshme
Më shumë