“Në karriget e këtij kuvendi janë ulur edhe inkuizitorët e djeshëm, edhe viktimat e tyre, të burgosurit e ndërgjegjes. Është momenti që cilido që e ka shpirtin të rënduar, ta pastrojë.”
“Të kemi kujdes në shqyrtimin e neneve të këtij ligji, sepse të burgosurit e ndërgjegjes, që nuk kanë bërë krime të tjera, nuk duan amnisti. Dhe në radhë të parë nuk duan shkrimtarët dhe artistët. Ata nuk kanë bërë asnjë faj, prandaj kërkojnë pafajësi e ndjesë të sinqertë, gjë që nuk e siguron ky projektligj.” Kjo është një pjesë e fjalimit të Dhimitër Anagnostit, si deputet i kuvendit të parë pluralist në vitin 1991. Në atë parlament kishte deputetë të PPSH-së që ishin kundër të dyja opsioneve, faljes dhe amnistisë. Ata vazhdonin t’i konsideronin të përndjekurit politikë si “armiq të popullit,” ishin të lënduar nga rënia e pushtetit popullor dhe po përpiqeshin të ruanin figurën e diktatorit. Por thelbi i debatit i përkiste pjesës tjetër, që i qasej shqiptarëve si elita e re politike që premtonte ndërtimin e shtetit demokratik pas 50 vitesh diktaturë. Në atë debat për termat “pafajësi” apo “amnisti” parlamenti u nda thelbësisht, jo sipas ngjyrave politike, por sipas konceptit që secili prej tyre kishte mbi të drejtën, mbi lirinë. Një ndër diskutimet pikante të këtij debati ishte ai i deputetit të PD-së, Dhimitër Anagnosti, i cili refuzonte të pranonte termin “amnisti” duke kërkuar pafajësi. Anagnosti është një ndër regjizorët më të njohur shqiptar, ndër intelektualët e viteve ’90, që u përfshinë për pak kohë në politikë në lëvizjen demokratike.
Gazeta Tema ka zgjedhur një episod të diskutimit të Anagnostit në atë debat për statusin e të dënuarve politikë gjatë regjimit diktatorial.
Seancë parlamentare, gusht 1991
Dhimitër Anagnosti - Të nderuar deputetë,
Në debatet dhe diskutimet në këtë Kuvend është përdorur shpesh fjala “piramidë.” Ky trup, më mirë se çdo tjetër, konkretizon strukturën moniste shtypëse. Në realitetin tonë nuk ekzistonte vetëm një ngrehinë e tillë, ajo politiko-ideologjike. Në shëmbëlltyrën e piramidës mëmë ekzistonin me dhjetëra piramida bija sipas fushave të veprimtarisë ekonomike, artistike, shkencore, ushtarake, etj. Në këtë pikëpamje, Shqipëria ishte një shkretëtirë e vërtetë piramidash. Brenda këtyre piramidave, hidhte vallen e saj makabre lufta e tmerrshme e klasave. Në piramidën letraro-artistike, kjo luftë krijoi humbje të mëdha e të rënda. Së pari, ajo krijoi një boshllëk të madh lidhur me traditën tonë, duke varfëruar formimin kulturor e artistik të disa brezave. Por, në fund të fundit, ky dëm disi edhe mund të riparohet. Shkrimtarët dhe artistët e pasluftës, të ndodhur midis detyrës së tyre të natyrshme si kronistë të ndërgjegjes kombëtare dhe detyrës nga partia-shtet si ndihmës të partisë për edukimin komunist të masave, u gjendën në një pozitë të panatyrshme në profesionin e tyre, pozitë që i detyroi të bëhen qenie të dyzuara, hipokrite, servile e të shpersonalizuara. Në përgjithësi, shpirti artistik krijues nuk mund të pajtohet kurrë me këtë pozicion, dhe secili, brenda mundësive dhe talentit, u përpoq të ruajë nderin, fytyrën, shpesh duke rrezikuar shumë, por jo gjithmonë ia arrinte.
Çdo punonjës i artit dhe i letërsisë gjithë jetën e tij jetoi në një burg torturues që quhet vetëburgim ose autocensurë. Dhe asnjëri sot të mos kujtojë se nga ky burg doli i shëndetshëm, i paprekur. Të gjithë, në fakt, vuajnë një lloj invaliditeti intelektual. Të tillë krijues, shpesh jo pa ndihmën e bërrylave dhe shkelmave të kolegëve, që përpiqeshin të ngjiteshin pak më sipër në piramidën që përmenda, vuajtën riedukime, internime dhe burgje. Nuk do të përmend emra, pasi janë shumë. Ata u bënë dhunshëm varri i këngëve të tyre të pakënduara dhe këto këngë të pakënduara janë një nga humbjet më të mëdha të këtij gjysmëshekulli për kombin shqiptar.
A mund ta kompensojë ky ligj, sado i mirë qoftë, këtë dëm? Kurrsesi. Për mua, lufta e klasave në art e letërsi ka vrarë e varrosur përgjithmonë një pjesë të ndërgjegjes kombëtare. Rehabilitimi moral dhe material nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të lehtësojë paksa dhimbjet dhe të krijojë besim se vuajtjet e tyre nuk shkuan dëm, por do t’i japin jetë të vërtetë së ardhmes demokratike.
Të kemi kujdes në shqyrtimin e neneve të këtij ligji, sepse të burgosurit e ndërgjegjes që nuk kanë bërë krime të tjera, nuk duan amnisti. Dhe në radhë të parë nuk duan shkrimtarët dhe artistët. Ata nuk kanë bërë asnjë faj, prandaj kërkojnë pafajësi dhe ndjesë të sinqertë, gjë që nuk e siguron ky projektligj. Në mënyrë të veçantë, duhet të bëjë kujdes ky Kuvend, në karriget e të cilit janë ulur edhe inkuizitorët e djeshëm, edhe viktimat e tyre, të burgosurit e ndërgjegjes. Është momenti që cilido që e ka shpirtin të rënduar ta pastrojë.