TV LIVE
Nga Bota
1 November 2024
8000 ushtarë të Koresë së Veriut, pranë kufirit të Ukrainës

SHBA thotë se 8000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në Kursk të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën.

Shifra e ushtarëve koreano-veriorë është bërë e ditur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Këta ushtarë janë dërguar nga Koreja e Veriut në ndihmë të Rusisë për luftën kundër Ukrainës.

Në një konferencë shtypi, Blinken tha se ushtarët koreano-veriorë janë trajnuar nga rusët për të përdorur artileritë, për të manovruar dronet, si dhe janë stërvitur për një sërë operacionesh bazë të këmbësorisë.

Këta ushtarë besohet se do të përdoren në frontin e parë të luftës ruse në Ukrainë.

Importimin e trupave të Koresë së Veriut për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, Sekretari Blinken e sheh si shenjë dobësie dhe dëshpërimi të Presidentit rus Vladimir Putin.

Tashmë dihen marrëdhëniet e afërta mes Rusisë dhe Koresë së Veriut. Poli i tretë në këtë marrëdhënie është edhe Kina.

Sipas “The Guardian”, këtë javë është zhvilluar një bisedë mes diplomatëve amerikanë dhe atyre kinezë për të mos lejuar një përfshirje të Kinës në luftën në Ukrainë, duke qenë se është i ditur partneriteti “pa kufij” mes Moskës dhe Pekinit.

Ekspertët thonë se Kina mund të mos e miratojë zhvendosjen e trupave koreano-veriore në Ukrainë në favor të Rusisë, sepse e sheh si lëvizje destabilizuese në Azinë Lindore.

Zyrtarë amerikanë nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni kanë paralajmëruar Rusinë dhe Korenë e Veriut që të mos përfshihen trupat ushtarake koreano-veriore në luftën e Ukrainës.

Kjo do të hapte në lojë të re, e ndoshta mund të zgjerojë luftën e Ukrainës në Europë.

/tvklan.al



Të ndryshme
Më shumë