TV LIVE
Nga Vendi
30 October 2024
Kuvendi e miratoi Strategjinë kombëtare të zhvillimit për vitin 2024 – 2044

Ekonomia e qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, zhvillimi i qëndrueshëm lokal dhe rajonal që siguron kohezion, rivitalizim demografik, zhvillim social dhe kulturor, shoqëri e sigurt, e mbrojtur dhe rezistente, transformim i gjelbër, sundim i ligjit dhe qeverisje e mirë, janë gjashtë fushat kryesore të Strategjisë Kombëtare Zhvillimore (SKZH) për periudhën 2024 – 2044, e cila u miratua këtë pasdite nga Kuvendi me 70 vota “për”, një kundër dhe asnjë abstenim.

Strategjia, siç është thënë, është dokument kryesues që përcakton qëllimet kryesore kombëtare zhvillimore, fushat strategjike dhe prioritetet për zhvillim të përshpejtuar, gjithëpërfshirës, të balancuar, të barabartë gjinor dhe të qëndrueshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. U miratua me konsensus politik dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës që përfshinte AMSHA-në, Qeverinë, Parlamentin, bashkësinë akademike, ekspertë, sektorin civil dhe atë të biznesit, si dhe partitë politike.

Dhe derisa deputetët nga VMRO-DPMNE dhe LSDM dhanë mbështetjen e tyre të plotë për miratimin e Strategjisë, Blerim Bexheti nga BDI kërkoi tërheqjen dhe korrigjimin e saj, duke iu referuar zhvillimeve aktuale me Gjykatën Kushtetuese. Rexhep Ismail nga E Majta, nga ana tjetër, vlerësoi se SKZH-ja është historikisht e dështuar, metodologjikisht e pasaktë dhe ideologjikisht e humbur.

“Ideja themelore e SKZH-së është të mundësojë vazhdimësinë në planifikimin strategjik dhe përgjigje konsistente ndaj sfidave kryesore, pa marrë parasysh orientimin politik. SKZH-ja është dokument strategjik kyç që definon vizionin për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që në thelb bazohet në tre qëllime themelore të zhvillimit kombëtar: Forcimi i konkurrentësisë së ekonomisë përmes një ekosistemi funksional dhe novator, përmirësim të shkathtësive, njohurive, përfshirjes dhe rezistencës së qytetarëve, Modelet e qeverisjes që janë të hapura, llogaridhënëse, gjithëpërfshirëse dhe rezistente, të afta për të parandaluar dhe reaguar në mënyrë përkatëse, duke nxitur prosperitetit për të gjitha grupet shoqërore, si dhe inkluzion social, që nënkupton shërbime të përmirësuara sociale, shëndetësore dhe arsimore që synojnë të sigurojnl përfitime për individët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi”, theksoi zëvendës-ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Llashkoska, duke arsyetuar tekstin.

Sipas Llashkovskës, si dokument strategjik dhe zhvillimor, SKZH identifikon sfidat dhe prioritetet kryesore shtetërore, veçanërisht duke marrë parasysh aspiratën e vendit për t’u anëtarësuar në

Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, si dhe angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm të shndërruara në Agjendën 2030.

“Njerëzit në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë standard të lartë jetësor, duke e realizuar veten në ekonomi që është e qëndrueshme, konkurruese dhe ofron mundësi të barabarta për të gjithë. Institucionet janë efikase, llogaridhënëse, të përgjegjshme, inovative dhe të hapura për pjesëmarrjen e qytetarëve. Bashkësitë në të cilat jetojmë janë të gjelbra, të sigurta, rezistente ndaj rreziqeve moderne, të lidhur në aspektin infrastrukturor dhe të digjitalizuar. Këto kushte kontribuojnë në krijimin e një baze për të rinjtë prosperues, individë që janë të kënaqur, të lumtur, të shëndetshëm dhe në plakje aktive. Arti dhe kultura janë shtyllat e shoqërisë sonë dhe kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies kolektive dhe perceptimit ndërkombëtar të shtetit. Vendi ynë është anëtar aktiv dhe i respektuar i organizatave ndërkombëtare dhe iniciativave rajonale, ku promovon vlera, norma dhe procese që rezultojnë në përmirësimin e jetës së të gjithë njerëzve, është vizioni i Strategjisë.

Siç nënvizoi Llashkovska, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe digjitalizimi i shoqërisë janë elemente qendrore dhe janë parakusht thelbësor për përparim në çdo fushë strategjike.

Fatmir Bytyqi u bëri thirrje deputetëve të mbështesin miratimin e Strategjisë.

“Vendimi për miratimin e Strategjisë tejkalon ndarjet politike dhe ambiciet personale dhe hap derën e prosperitetit dhe zhvillimit. Ky është më shumë se një vendim personal dhe politik, është moment që kërkon pjekuri, përgjegjësi dhe konsensus. Mbi 14.000 qytetarë nga të gjitha sferat dhe partitë politike kontribuan në krijimin e dokumentit. Kjo nuk është Strategji e një qeverie apo e një partie, por e të gjithëve ne për të gjithë. Ky dokument arriti të bashkojë zëra dhe interesa të ndryshëm. Kjo është rruga që do ta çojë vendin drejt zhvillimit afatgjatë. Ne tregojmë se vlerësojmë mendime të ndryshme dhe jemi të interesuar t’i integrojmë ato në një plan të përbashkët. Qytetarët presin bashkëpunim, konsensus dhe vizion që do të tejkalojë betejat dhe ndarjet aktuale politike. Strategjia na mundëson të ruajmë diversitetin, por edhe ta tejkalojmë ato për një qëllim të përbashkët. Miratimi konsensual gjithashtu do të ketë implikime politike afatgjata, jo vetëm që do të ndihmojë në zgjidhjen e sfidave ekonomike, por do të rrisë besimin në sistemin tonë politik. Ne dëshmuam se jemi të aftë për kompromis dhe bashkëpunim, e kompromisi nuk është dobësi, por shprehje e pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”, nënvizoi Bytyqi.

Sipas tij, SKZH-ja ofron zgjidhje për të ardhmen e vendit tonë që do të jenë ekonomikisht dhe ekologjikisht më të sigurta për të gjithë.

“Strategjia gjithashtu përfshin vlera të tilla si gjithëpërfshirja dhe solidariteti, parime me të cilat mund të krijojmë sistem më efektiv dhe politik të aftë për dialog edhe në kohë polarizimi. Kemi qenë dëshmitarë të mosmarrëveshjeve politike, por sot kemi mundësinë të tregojmë se dimë si t’i kthejmë çështjet me rëndësi thelbësore. Ne dëshmuam se mund të punojmë së bashku dhe të tejkalojmë interesat partiake”, tha Bytyqi.

Edhe Dimitar Kovaçevski u pajtua se strategjia është vizion i qartë për vendin në dy dekadat e ardhshme.

“Si rrallë ndonjë dokument tjetër, SKZH-ja përfshin të gjitha fushat. Ajo është jopartiake, ndëretnike, gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor dhe social. Në hartimin e saj morën pjesë të gjitha partitë politike, të gjitha bashkësitë dhe institucionet. Dokumenti përfshin sfidat më të mëdha ekonomike, politike, sociale dhe ekologjike me të cilat përballemi. Nuk është përpiluar jashtë vendit, por është hartuar nga institucionet tona me ekspertë vendorë. Për të përfshirë të gjitha fushat, janë bërë 24 studime tematike, u mbajtën 50 punëtori, morën pjesë 60 deputetë, procesi pati mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare”, nënvizoi Kovaçevski.

Rexhep Ismail nga E Majta theksoi se Strategjisë i mungon një analizë retrospektive për të parë pse janë situatat në fushat strategjike kështu si janë. Ne hidhemi, siç theksoi ai, drejtpërdrejt në atë që është “më e mira” në botë, dhe nuk mund të bëjmë një sistem funksional për nxjerrjen digjitale të dokumenteve personale.

“Unë nuk kam qenë i përfshirë në përpilimin e dokumentit dhe me shumë gjëra në Strategji nuk jam dakord. Strategjia nuk prek problemet kryesore të shtetit dhe unitarizmit të tij. Pjesa ekonomike fokusohet në privatizimin dhe investimet e huaja. Ju dëshironi një sektor të fortë publik dhe promovoni privatizimin. Nuk shkon me njëra-tjetrin, është anasjelltas proporcional. Do të ketë privatizim shtesë të burimeve dhe do ta sjellë vendin në varësi energjetike, si dhe në varësi të burimeve të tjera. Gjithashtu, prej ku decentralizimi është gjë e mirë? Pas decentralizimit, kemi komuna jofunksionale dhe mjedise të ndotura, e Shkupit, për shembull, i nevojitet centralizim urgjent. Thuhet gjithashtu se arsimi do të jetë i orientuar drejt tregut. Pra, ne nuk do të edukojmë fëmijët dhe studentët tanë, por do të bëjmë punëtorë për investimet e huaja dhe për kapacitetet industriale të vendeve evropiane”, tha Ismaili.

Ai gjithashtu vuri në dukje se me kalimin e viteve dhe me ndryshimin e partive në pushtet, përmbajtja e strategjive mbeten të njëjta.

“Ndoshta është rishkruar edhe kjo Strategji, nuk ka asnjë plan thelbësor për përmirësimin e gjërave. Nuk e dija që është bër me pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj, qytetarëve, OJQ-ve,… Është një qasje tipike e sektorit qytetar, joqeveritar ku mjafton vetëm të tregosh gjithëpërfshirje për të justifikuar paratë nga financierët e huaj. Është evidente se situata është e tillë. Një dokument i tillë duhet të konceptohet seriozisht dhe në të duhet të punojnë njerëz seriozë, e jo “ojlevcë-dojlevcë” të cilët nuk kanë asnjë lidhje me dokumentet strategjike”, theksoi deputeti i së Majtës.

Për Bexhetin nga BDI, Strategjia duhet të ishte përpunuar nga Kryeministri dhe Ministri i dikasterit.

“Të tërhiqet strategjia, të intervenohet në të dhe të ketë korrigjime që do të japin një pasqyrim të realitetit në vend. Një dokument kështu i rëndësishëm, pavarësisgt nëse ka kaluar përmes procesit inkluziv, kërkon qasje serioze, të debatohet nga kryeministri ose ministri i cili udhëheqë resorin, ata duhet të japin sqarim. Duhej të vijnë, duke marrë parasysh seriozitetin në të cilin gjenden shteti dhe rajoni. Strategjitë nuk mund t’i përfshijnë të gjitha çështjet, ne debatojmë në Komision, kite tentime për të tregues se është përgatitur nga pushteti paraprak, por duhet të bëhet dallimi dhe të jemi të saktë meqë secili pushtet ka përgjegjësi. Në këtë strategji flitet për periudhë 20-vjeçare, ndërsa e dini se çfarë paralajmërimesh ka nga Gjykata Kushtetuese. Në Strategjinë ka gjëra të mira dhe projekte ambicioze, por në kontekstin politik tani, Gjykata Kushtetuese është në ofensivë të anulimit të ligjeve që kanë të bëjnë me karakterin etnik”, theksoi Buxheti.

Në këtë replikoi Llashkovska.

“Shpresoja se koordinatori i BDI-së dhe grupi parlamentar do të ndryshojnë mendimin meqë pikërisht deputeti i tyre pjesëmarrës në përpilimin e Strategjisë. Është për keqardhje që nuk mund të tregojnë madhësi dhe gjerësi. Miratimi i dokumentit të këtillë abuzohet, absolutisht nuk mban të përmendet Gjykata Kushtetuese, të përmenden gjëra që përdoren për përplasje ditore politike. Kjo strategji nuk është e një Qeveri, por e qytetarëve dhe shtetit. Edhe kryeministri edhe ministrat morën pjesë në propozimin dhe miratimin e Strategjisë. Shpresoj se grupi parlamentar i BDI-së do të pendohet dhe do t’i japë mbështetje këtij dokumenti të rëndësishëm pa dallim nëse VMRO-DPMNE ose dikush tjetër do të jetë në krye të shtetit. Duhet të tregohet madhësi meqë është koha e fundit që shteti të bëhet një hap përpara”, potencon Llashkovska.

Bexheti përsëriti se si parti janë të shqetësuar nga, siç u shpreh, zhvillimet e fundit që bëjnë ndryshime tektonike kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike.

“Këtu është rezerva jonë, në zhvillimet aktuale politike. Ne i shohim në tërësi gjërat dhe prandaj bëjnë thirrje që të intervenohet në këtë pjesë”, theksoi Bexheti.

Deputetët në seancë e miratuan edhe Programin për zbatimin e Stategjisë kombëtare zhvillimore për periudhën e viteve 2024-2028.



Të ndryshme
Më shumë