Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një konference për media ka shprehur kënaqësinë që Korridorit 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik.
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh kënaqësinë që Korridorit 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik.
Kjo vetëm sa konfirmon vizionin tonë të qëndrueshëm dhe politikat tona afatgjata për përparimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore.
Nuk mund të mos vëmë në dukje se ata që deri dje e kundërshtonin ashpër këtë projekt dhe kërcënonin me anulimin e tij, sot e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 përfaqëson për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe për përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën.
Politikat e BDI-së kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve, dhe rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë.
Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses.
Gjithashtu, apelojmë për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Gostivari -Bukojqan, duke e vlerësuar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për ndërtimin e Korridorit 8.
BDI kërkonë që fondet e përcaktuara për këtë projekt të përdoren sipas planifikimit, pa asnjë pengesë apo vonesë të panevojshme.
Ky projekt mban vulën e BDI-së, mban vulën e angazhimit tonë për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen më të mirë të Maqedonisë së Veriut”, tha Ejup Rustemi nga BDI-ja.