TV LIVE
Nga Vendi
25 October 2024
Oficerët serbë me uniforma ushtarake të Serbisë në ceremoninë e hapjes së konsullatës në Kumanovë

Në Kumanovë, në komunën e Maqedonisë së Veriut e banuar me shumicë shqiptare është hapur konsullata e Serbisë.

 

E afërsinë e pushtetit aktual në Maqedoninë e Veriut me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuqiç e dëshmon pjesëmarrja në këtë ceremoni e disa oficerëve serbë.

Ata në një event të tillë të hapjes së konsullatës morën pjesë me uniforma ushtarake të Serbisë, në një qytet ku banojnë më së shumti shqiptarë, shkruan Gazeta Infokus.

Rastin në llogarinë e tij në facebook e denoncoi, gazetari, kryredaktori i portalit InaOnline, Naser Pajaziti i cili ka thënë se si ka mundësi që ofircerët ushtarakë të marrin pjesë në një ceremoni të tillë duke qenë edhe fakti që Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s derisa Serbia nuk është.

“Në ceremoninë e hapjes së konsullatës serbe në Kumanovë shihen oficerë me uniforma të Serbisë. Nuk bëhet fjalë për një atashe ushtarak nga ambasada, por shihen disa të uniformuar dhe çka nënkupton prania e tyre në një ceremoni të karakterit të tillë. Maqedonia e Veriut si një vend anëtar i NATO-s ka disa rregulla dhe procedura specifike të sigurisë për hyrjen dhe pjesëmarrjen e oficerëve ushtarakë të vendeve që nuk janë pjesë e NATO-s, përfshirë Serbinë. Pra shtrohen disa pyetje në adresë të institucioneve shtetërore që sigurisht edhe NATO është e interesuar për respektimin e protokolleve dhe rregullave nga një vend anëtar”, shkruan gazetari.

Derisa ai ka shtuar se kjo ngjarje e pazakontë duhet të zgjojë edhe interesimin e NATO-s të diet nëse janë respektuar protokollet e sigurisë të NATO-s dhe marrëveshjet bilaterale, duke bërë thirrje që raste të tilla të mos anashkalohen me lehtësi.

“A kanë leje apo aprovim nga institucionet  përkatëse të sigurisë, duke respektuar marrëveshjet bilaterale dhe protokollet e NATO-s? Sepse ushtarakët nga vende jashtë NATO-s, përfshirë Serbinë, do të kenë nevojë për leje speciale diplomatike dhe ushtarake nga autoritetet maqedonase. Kjo përfshin aprovimin nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Pra, a janë përmbushur këto kushte? Një vend anëtar i NATO-s ka një proces rigoroz për trajtimin e oficerëve ushtarakë nga vende jo anëtare. Mos t’i anashkalojmë lehtësisht rastet e tilla”, shkruan Pajaziti.

Kujtojmë se në Kumanovë 25.99% e popullsisë janë shqiptarë derisa vetëm 6.52% e banorëve janë serbë. Nuk dihet nëse për këtë pjesëmarrje oficerët e Serbisë kanë marrë ose jo leje nga institucionet e sigurisë në këtë shtet.

Këtë vit kryeministër i Maqedonisë së Veriut u zgjedh, Talat Xhaferi me 65 vota pro dhe 3 kundër, duke hyrë në histori si i pari shqiptar që do të drejtojë qeverinë në vendin fqinj ku banojnë një numër i madh i shqiptarëve./Gazeta Infokus



Të ndryshme
Më shumë