Hezbollahu ka gjuajtur një breshëri raketash në Izraelin qendror më 22 tetor, duke nxitur lëshimin e sirenave paralajmëruese për sulme ajrore në shumicën e pjesëve të banuara në Izrael.
Megjithatë, sulmet e Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – duket se nuk kanë shkaktuar dëme apo viktima.
Ushtria izraelite tha se pesë predha u lëshuan nga Libani drejt Izraelit, duke shtuar se shumica e tyre u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit, ndërkaq një raketë ra në një hapësirë të pabanuar.
Izraeli tha se në të njëjtën kohë, rreth 15 predha u lëshuan nga Libani drejt veriut të Izraelit.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo edhe partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Më 22 tetor, Hezbollahu tha se ka lëshuar raketa ndaj në dy bazave kyçe afër Tel Avivit dhe një baze detare në perëndim të Haifës.
Sulmet raketore vijnë në kohën kur Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Liban, duke shënjestruar institucionet financiare që udhëhiqen nga Hezbollahu dhe teksa SHBA-ja po tenton të rinisë bisedimet për armëpushim në Gazë, pas vrasjes së Yahya Sinwarit, udhëheqësit të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të zhdukë Hamasin dhe do të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga grupi. Hamasi ka thënë se pengjet do të lirohen kur të arrihet një armëpushim afatgjatë dhe kur Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza dhe të lirohen të burgosurit palestinezë.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut./ REL