TV LIVE
Kuriozitete
21 October 2024
Teatri Kombëtar me “1984” triumfon në Shkup, “Martesa” jepet në festivalin polak

I mbajtur në hapësirat e Teatrit Shqiptar, Festivali ka vlerësuar shfaqjen “1984” me tekst të Gerogle Orwell e nën regji të Igor Mendjiskyt si të denjë për “Grand Prix”. Këtë vlerësim e ka bërë treshja e jurisë, Handan Sallta, Keti Donçeska Iliq dhe Drita Kaba-Karaga. Ndërkohë, po gjatë javës së kaluar TKK-ja është paraqitur me shfaqje edhe në Radom të Polonisë, duke dhënë shfaqjen “Martesa” në Festivalin ndërkombëtar “Gombrowitz”. Festivali mban emrin e dramaturgut të njohur kroat, Witold Gombrowicz, njëherësh autor i dramës “Martesa”

Paradokset e jetës dhe koncepti i lirisë që zbërthehen në lojë teatrore nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, është produksioni fitues i edicionit të sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të teatrove “SkupiFest”. I mbajtur në hapësirat e Teatrit Shqiptar, Festivali ka vlerësuar shfaqjen “1984” me tekst të Gerogle Orwell e nën regji të Igor Mendjiskyt si  të denjë për “Grand Prix”. Këtë vlerësim e ka bërë treshja e jurisë, Handan Sallta, Keti Donçeska Iliq dhe Drita Kaba-Karaga. Ndërkohë, po gjatë javës së kaluar TKK-ja është paraqitur me shfaqje edhe në Radom të Polonisë, duke dhënë shfaqjen “Martesa” në Festivalin ndërkombëtar “Gombrowitz”. Festivali mban emrin e dramaturgut të njohur kroat, Witold Gombrowicz, njëherësh autor i dramës “Martesa”.

Publiku në Shkup ka parë rrëfimin që bën diferencën mes realitetit dhe iluzionit në të cilin jeton shoqëria. Aftësia për të manipuluar e shtrirë sistemin totalitar në këtë dramë shkon deri në atë pikë sa krijon dyshime në vetvete. Historia e dashurisë mes dy personazhesh është thelbi për të mbërritur deri në esencën e shfaqjes. “1984” që parashikon gjendjen mbi tri dekada para se ngjarja të zhvillohet, ka qenë reflektim për tematikën që përshtatet edhe sot e për të paparashikuarat e së ardhmes.

Në edicionin e 18-të të “SkupiFest” janë paraqitur shfaqje nga Bosnjë-Hercegovina, Gjermania, Rumania e Turqia. Çmimi special “Luran Ahmeti” u është dhënë aktoreve Selma Alispahiq dhe Helena Vukoviq, në shfaqjen “Nyja e Gidionit” produksion i “Intermeco” dhe festivalit “Mess” të  Sarajevës. Çmimi special për regjinë më të mirë i është dhënë Kris Sharkov, për shfaqjen “Grimcat elementare”, produksion i teatrit kombëtar “Ivan Vazov” në Sofje.

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se në vazhdën e prezantimeve ndërkombëtare të TKK-së sivjet, si në Kroaci, Maltë, Slloveni, Itali e Shqipëri, në këtë tetor kishin ftesa nga “SkupiFest” për shfaqjen “1984” ku u shpërblyen me “Grand Prix” si dhe në “Grombrovic Theatre Festival” në Radom të Polonisë me shfaqjen “Martesa.

“Sikurse në prezantimin në Shkup që u fitua në një festival ku kishte paraqitje të produksioneve nga vende të ndryshme të rajonit edhe në Radom ku kishte paraqitje të produksioneve nga mbarë bota, shfaqen punët e kohës së fundit të TKK-së të cilat u pëlqyen nga publiku dhe kritika vendore”, ka thënë ai. Sipas Sheremetit, gjithashtu të gjitha këto udhëtime dhe paraqitje janë pjesë e strategjisë së menaxhmentit të TKK-së për hapje maksimale të institucionit në raport me tregun ndërkombëtar teatror, e sidomos me atë evropian.

“Në përgjithësi jemi krenarë dhe të lumtur me prezantimin e suksesshëm të trupës së TKK-së në të dyja festivalet dhe në të gjitha prezantimet e tjera. Falë tyre dhe punës që po behet në TKK, kemi edhe shumë oferta për bashkëprodhime të ndryshme evropiane”, ka thënë ai.

Te “1984” derisa dritat u fikën në pjesën e publikut, një mjegull e lehtë i parapriu eksplorimit të rrëfimit. Jashtë “kornizave” të skenës, në anën e djathtë të publikut shfaqet edhe autori i dramës, shkrimtari George Orwell, rol të cilin e luan luajtur aktorja Arta Selimi. Si një intro e shfaqjes ka qenë prezantimi i karaktereve të shfaqjes. Disa prej tyre që prej profesionit, veprimtarisë së tyre që sistemit i shkon për shtat afrohen, përndiqen ata që kundërshtojnë.

Kurse shfaqja 90-minutëshe “Martesa” shpërfaq hipnotizimin e njeriut dhe artificialitetin e tij. Futet në një botë të marrë në skenat që mjegullohen bashkë me realitetin.

 

Përtej një vendimi e akti, martesa është filozofi për tranzicionin e njeriut në situata të caktuara e gjërat që mbesin peng.

“Martesa”, produksion i TKK-së, përthekon problematikat e shoqërisë pas Luftës së Dytë Botërore e që gjëllijnë edhe sot. Aty është drama e njeriut që kërkon autenticitetin e tij. Në shfaqje ai është aktor në teatrin e përditshëm të jetës. Çështjet komplekse e filozofike shtrohen me gjuhë të ashpër.

Shfaqja ka në qendër Henryn, një i ri ushtar që nëpërmjet ëndrrës së tij kthehet në atdhe në një kafene që drejtohet nga prindërit e tij. Ngjarjet në ëndërr ngjajnë të jenë një luftë paralele në realitetin e tij. Karakteret shpesh duken të hipnotizuara, si kukulla në skenën e jetës. Bëhen misteriozë.

Gjendet në një situatë krejt tjetër ngase e kishte lënë familjen e tij para se të nisej ushtar për në Francë. Prindërit e tij kanë qasje tjetër ndaj tij, ndërsa situata ka ndryshuar në raport me të fejuarën e tij. Nisin konfliktet.

Kryepersonazhit Henry, rol që e luan aktori Armend Smajli, çdo gjë i duket e pakuptimtë. Aktori Smajli ka thënë se “Martesa” shfaq një absurditet që sillet me anë të dramaturgjisë klasike.

Martesa është tema e herëpashershme. Ëndërrimtari planifikon të martohet me të fejuarën e tij në një dasmë mbretërore. Jo rrallë dyshon edhe në vlefshmërinë e ëndrrës.

Pijaneci, që luhet nga aktori Shkelzen Veseli, shpesh debaton me kryepersonazhin dhe krijon situata me të cilat Wladzio (Ylber Bardhi) duket se po i vardiset së fejuarës së tij. Kështu, Henry merr postin e babait të tij, për të qenë i gjithëfuqishëm dhe për ta testuar këtë, i kërkon mikut të tij të sakrifikohet. Ai pajtohet ta vrasë veten, Henry pendohet për atë që ka bërë dhe martesa anulohet.

Në edicionin e 16-të të Festivalit ndërkombëtar të teatrit, “Gombrowitz” janë dhënë shfaqje nga disa vende evropiane. Festivali nderon veprën e shkrimtarit e dramaturgut Gombrowitz, që njihet si një prej shkrimtarëve me  thellësinë më të madhe filozofike në Poloni në shekullin e kaluar.

 



Të ndryshme
Më shumë