“Zëri mund të shkojë aty ku shikimi nuk mundet” ishte motivi i krijimit të bibliotekës së parë audiodigjitale në vend, që do i shërbejë të gjithë fëmijëve por edhe personave që janë vështirësi me shikimin.
Kjo bibliotekë iu krijua nga fushata “Dhuro Zërin” ku përgjatë një viti u mbështet nga qindra lexues, mes të cilëve edhe figura të njohura të artit, kulturës, gazetarisë dhe sportit, të cilët dhuruan zërin e tyre për të krijuar të parën bibliotekë audiodigjitale.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pamjet nga biblioteka e parë audiodigjitale, ku shkruan se kjo përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit.
“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e falenderimin për ata të cilët dhuruan zërin e tyre, për të krijuar të parën bibliotekë audiodigjitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit, si edhe me admirimin më të lartë për drejtorin Emiliano Lule, i cili i përket kësaj kategorie sociale si një diell i vërtetë në rrugën e shumë fëmijëve që nuk shohin normalisht, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kjo bibliotekë u krijua pikërisht për personat me vështirësi në shikim për ta parë botën nga një perspektivë ndryshe dhe për të menduar sesi mund të gjejmë mbështetje, përfshirje dhe zgjidhje inovative për këtë kategori njerëzish.